Për herë të parë Lidhja Demokratike e Kosovës do të kandidojë tri gra për kryetare të komunave.
LDK-ja ka dorëzuar listat për kandidatë për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 17 tetorit si dhe për asamble komunale.
Te LDK-ja, Sibel Halimi do të jetë kandidate për kryetare të Ferizajt, Hyrie Dobrunaj kandidate për kryetare të Deçanit dhe Anduena Gllareva për kryetare të Drenasit.
“LDK-ja tash ka dorëzuar edhe zyrtarisht gjithë kandidatët për kryetar e kryetare në nivel komunal. Për herë të parë në Kosovë kemi tri gra kandidate për kryetare nga një parti politike. Lajm jashtëzakonisht i mirë. Kemi përfshirje të reja në lista të asamblistëve në nivel të komunave. Na prift e mbara”, ka thënë Sibel Halimi.
LDK-ja pa kandidat për kryetar në Skenderaj e Han të Elezit
Ndërkohë, kryetari aktual i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, që është rikandiduar nga LDK-ja për zgjedhjet e 17 tetorit, ka thënë se interesimi i grave dhe të rinjve për t’u përfshirë në lista ka qenë shumë i madh.
Ai ka treguar se LDK-ja në komunat si Skenderaj e Han të Elezit nuk ka dorëzuar kandidatura për kryetar por vetëm listë për asamble komunale, pasi e tillë ishte kërkesa e degëve të partisë në këto komuna.
“Kemi dorëzuar aplikimet për ato që janë bërë zyrtare nga LDK-ja. Në komunat si Skenderaj e Han të Elezit, degët vendosën të mos kemi kandidatura por listë për asamble komunale. Ka interesim shumë të madh të rinjve e grave, secila listë për asamble komunale ka më shumë sesa tejkalim të kuotës gjinore, është lajm i mirë për avancim të pozitës së gruas në shoqërinë tonë. Kemi për herë të parë tri gra nga LDK-ja që garojnë për kryetare të komunave, më shumë se secili subjekt politik. Ka interesim të madh të rinjve për asamble komunale dhe na gëzim shumë fakti që kemi interesim të rinjve e grave”, tha Tahiri.
Lista e kandidatëve të LDK-së për kryetarë të komunave:
– Lutfi Haziri - kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit;
– Anton Quni - kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit;
– Ilir Ferati – kandidat për kryetar të Komunës së Istogut;
– Hyrie Dobrunaj – kandidate për kryetare të Komunës së Deçanit;
– Burim Krasniqi – kandidat për kryetar të Komunës së Rahovecit;
– Besim Hoti – kandidat për kryetar të Komunës së Klinës;
– Bajrush Hoti – kandidat për kryetar të Komunës së Malishevës;
– Bexhet Xheladini – kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit;
– Jeton Biqkaj – kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës;
– Ruzhdi Shehu – kandidat për kryetar të Komunës së Junikut”
– Sibel Halimi kandidate për kryetare të Komunës së Ferizajt;
– Armend Agolli – kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës;
– Teki Shala – kandidat për kryetar të Komunës së Gjakovës;
– Mehmet Krasniqi – kandidat për kryetar të Komunës së Obiliqit;
– Bedri Zeqiri – kandidat për kryetar të Komunës së Shtimes;
– Anduena Gllareva – kandidate për kryetare të Komunës së Drenasit;
– Shkëlqim Jakupi – kandidat për kryetar të Komunës së Kaçanikut;
– Bajrush Ymeri – kandidat për kryetar të Komunës së Novobërdës.