Vatra të reja të zjarrit janë identifikuar edhe në Komunën e Gjakovës dhe Malishevës.
Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj. Ai ka deklaruar se ekipet e zjarrfikësve bashkë me qytetarët janë duke u munduar t’i lokalizojnë vatrat e zjarrit.
Njoftim për këtë ka dërguar edhe Komuna e Malishevës.
Sipas njoftimit këto vatra në këtë komunë janë lokalizuar dhe se këto zjarre kanë shkaktuar rrezik edhe për shtëpitë e banimit.
“Sot në territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar disa zjarre të hapura, por falë angazhimit të ekipeve përgjegjëse dhe ndihmës nga komunat fqinje, zjarret janë lokalizuar, përderisa zjarret kanë shkaktuar rrezik edhe për shtëpitë e banimit. Të gjitha ekipet e zjarrfikësve dhe ekipet emergjente komunale, përfshi edhe policinë, janë dalë në vendngjarje, përderisa në ndihmë kanë dalë edhe zjarrfikësit nga komunat e Drenasit, Rahovecit e Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Zjarre ka edhe në komuna tjera në Kosovë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme ndër më seriozet është ajo në Shtupeq të Pejës.