Duke u mbështetur nga komandantë me pushtet, kompania “Fox Marble” është duke fituar miliona euro nga tri gurore graniti e mermeri në Kosovë, ani se ndiqet nga hija e dyshimeve për falsifikim aksionesh. Rexhep Shaqiri thotë se kjo kompani ia përvetësoi biznesin dhe licencat për të tria guroret, nëpërmjet një autorizimi fals që u përdor nga një studio avokature në Prishtinë. Një analizë grafologjike ka konstatuar falsifikimin, e gjykata tek tash ka urdhëruar ndalimin e punëve në guroret që janë edhe në Bursën e Londrës. E, është policia ajo që po e shpërfill urdhrin gjyqësor për ta ndalur punën e kompanisë
Nga nëntoka e disa kodrave të Kosovës, kompania “Fox Marble” është duke fituar miliona euro, ani se ndiqet nga hija e dyshimeve për falsifikim aksionesh të tri guroreve. Kompania mbështetet nga komandantë që pas lufte morën pushtet.
Të enjten e javës së shkuar në një minierë në Zatriq të Rahovecit nuk po sfidoheshin vetëm temperaturat rekorde përvëluese. Kompania po e sfidonte edhe një urdhër gjyqësor.
Makinat nuk janë fikur ani se një muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë të sigurisë në tri parcela me mermer dhe granit – dy në Zatriq e një në Syriganë të Skenderajt. Masa nënkupton edhe ndalimin e gërmimit.
“U është ndaluar kundërshtarëve të masës së sigurimit që të ndërmarrin çfarëdo veprimi, duke përfshirë dhe nënkuptuar ndërtimin apo gërmimin në pjesën e parcelës nr. 2900-0 në sipërfaqe prej 45,917.00 m² në zonën kadastrale Cervenica Zatriq, Komuna e Rahovecit dhe pjesën e parcelës nr. 290-0, në sipërfaqe prej 49,855.13 m²...”, thuhet në aktvendim. “Obligohet Policia e Kosovës që ta zbatojë këtë pjesë të masës së përkohshme”.
Policia prej tri ditësh nuk tregoi arsyet pse nuk veproi konform këtij obligimi të gjykatës, dhe as vetë gjykata nuk ofroi përgjigje mbi arsyet e moszbatimit të aktvendimit që e mori në gjysmën e qershorit.
Gjykata vendosi për masën me propozim të Rexhep Shaqirit, një qytetar nga Skenderaj që jeton në Londër dhe është shtetas edhe i Mbretërisë së Bashkuar. Ai këmbëngul se kompania “Rex Marble” iu grabit nëpërmjet falsifikimit.
“Në vitin 2010 kam regjistruar kompaninë ‘Rex Marble sh.p.k.’ në Kosovë dhe kam filluar të aplikoj për marrjen e licencave për ekstraktimin e gurit të fortë – granitit dhe mermerit. Pas 18 muajve i kam marrë tri licenca për ekstraktimin e mermerëve”, tregon Shaqiri. “Ende pa i kryer të gjitha studimet dhe marrjen e licencave, Etrur Rrustemi dhe Christopher Gilbert më kishin falsifikuar nënshkrimin tim dhe ma kishin tjetërsuar kompaninë ‘Rex Marble’”.
Tjetërsimi i aksioneve
Prej gati një dekade, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Shaqiri nuk figuron si aksionar i “Rex Marble”. Në të, të gjitha aksionet e kompanisë i njihen ndërmarrjes “Fox Marble Limited”, drejtor i së cilës figuron Chrisopher Gilbert dhe në bordin menaxhues të së cilës deri në vitin 2016 ishte Etrur Rrustemi. Këta të dy, në dokumente të ndryshme nuk paraqiten me identitet të njëjtë. Emri i të parit në disa raste haset edhe si “Chris”, e mbiemri i të dytit prej vitesh është ndërruar në “Albani”.
Gilbert është një biznesmen në zë. Ai ka ngritur dhe shitur shumë kompani nëpër botë në sektorë të ndryshëm, e veçmas në sektorin e muzikës.
Etrur Rrustemi kishte drejtuar për një kohë Postën dhe Telekomin e Kosovës.
Një vit pasi Shaqiri e kishte regjistruar në Kosovë, 25 për qind të aksioneve të kompanisë së tij “Rex Marble” ia kishte shitur kompanisë “Fox Marble”. Kjo e fundit, në muajt në vijim, mbërriti të regjistrohej në ARBK si zotëruese e 100 për qind të aksioneve të kompanisë së themeluar nga Shaqiri.
Shaqiri thotë se kjo ndodhi duke ia falsifikuar nënshkrimin në një numër dokumentesh, përfshirë autorizimin në të cilin u thirr një studio avokature në Prishtinë, e cila përcolli dokumentet në ARBK, hap që rezultoi me ndërrimin e aksionarëve.
Në “Fox Marble” nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth këtyre pretendimeve që lidhen me kompaninë dhe me drejtuesin e saj.
“Derisa të përfundojnë procedurat ligjore, kompania konsideron se janë të papërshtatshme komentet publike mbi detajet e çështjes”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kompanisë.
Po kështu, ka thënë të mos ketë autorizim që të flasë edhe avokati i kompanisë “Fox Marble Limited”, drejtor ekzekutiv i së cilës është Christopher Gilbert.
Ndërkaq, Etrur Rrustemi i mohoi akuzat.
“Nuk është e vërtetë çka ka thënë Rexha. Pikë”, tha ai nëpërmjet telefonit. “Unë nuk kam lidhje çka bën Rexha e çka s’bën Rexha. E ka vijën ligjore. Le ta përcjellë vijën ligjore. Besoj që ligji vepron në Kosovë. Pikë. Prej 1 shtatorit 2016, Etruri nuk përzihet në Fox”.
Konstatimi i falsifikimit
Ndërkaq studioja e avokaturës në Prishtinë, e cila dorëzoi dokumentet në ARBK, dha versionin e vet për rastin. Tha se krejt çfarë ka bërë, është përcjellja në ARBK e marrëveshjes për shitblerjen e aksioneve dhe vendimet korporative për ndryshim të statutit të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar.
“Zyra jonë nuk ka nënshkruar asnjë nga këto dokumente me rastin e shitjes së 75% të aksioneve të ‘Rex Marble Sh.P.K.’ nga zt. Shaqiri tek ‘Fox Marble Limited’ në prill 2011. Përkundrazi, në këtë rast një ish-punëtore e zyrës sonë kishte një autorizim të kufizuar që dokumentet e sipërpërmendura për shitblerjen e 75% të aksioneve të ‘Rex Marble Sh.P.K.’ – të nënshkruara nga palët kontraktuese në Londër të Anglisë – thjesht t’i dorëzojë në ARBK”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kësaj Avokature. “Rrjedhimisht, përderisa nuk kontestohen nënshkrimet në dokumente bazë mbi të cilat edhe është kryer transaksioni përkatës, për ne mbesin të paqarta pretendimet tërësisht të pavërteta se transaksioni është kryer në bazë të një autorizimi”.
Shaqiri ka ushtruar kallëzim penal edhe ndaj ish-punonjëses së Avokaturës që përmendet në autorizim, e edhe ndaj një prej partnerëve kryesorë të kësaj studioje. Të dy i implikon në falsifikim.
Autorizimi, për të cilin Avokatura thotë t’i ketë ardhur me postë të shpejtë, ishte fare i shkurtër dhe i shkruar në shqip dhe anglisht.
Ekspertiza grafologjike që e mori në konsideratë Gjykata, gjeti se nënshkrimi në të nuk ishte shkruar nga Rexhep Shaqiri.
“Ndryshimet e theksuara në mjaft prej karakteristikave të përgjithshme e të veçanta shkrimore, si ndërmjet vetë dy nënshkrimeve të kontestuara (njëri emër-mbiemër shkruar me shkronja të vogla të dorës, e tjetri shkruar me shkronja të mëdha të shtypit), me ato mostra krahasuese respektive, janë përcaktuese për mospraninë e origjinalitetit dhe autenticitetit të nënshkrimeve të personit”, thuhet në ekspertizë.
Arsyetimi i institucioneve
Gjykata vlerësoi se autorizimi nuk ka mbuluar veprimet e ndërmarra realisht, e që kanë pasur të bëjnë me tjetërsim të pronarit. Sipas saj, një autorizim i këtillë do të duhej të ishte i noterizuar, për qëllime të krijimit të sigurisë juridike.
Në ARBK arsyetojnë ndërrimin e aksionarëve pa kërkuar noterizimin.
“Më datë 4.11.2011, ARBK ka pranuar aplikacionin nga shoqëria tregtare ‘Rex Marble SH.P.K’., ... për ndërrim adrese dhe ndërrim pronari. Që ky aplikacion të procedohet tutje, janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore sipas Ligjit Nr.02/L-123 për Shoqëritë Tregtare, neni 34 paragrafi 2. Në aplikacion është Marrëveshja e Shitjes dhe Blerjes së Aksioneve, Vendimi për Ndryshim Statuti, Aneks Statuti dhe Autorizimi...”, thotë Mehdi Pllashniku, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në ARBK. “Sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare, nuk kërkohet që autorizimi të jetë i noterizuar”.
Neni që i referohet Pllashniku thotë se regjistrimi i një dokumenti nga Zyra e Regjistrimit është vetëm një veprim formal, informativ dhe administrativ dhe se kjo zyrë nuk do të verifikojë informatat e përmbajtura në ndonjë dokument të regjistrimit. Në të theksohet se personi që e nënshkruan këtë dokument është përgjegjës sipas ligjit të aplikueshëm për saktësinë e informatave të përmbajtura në të.
“Regjistrimi ose cilido veprim tjetër i ndërmarrë nga Zyra e Regjistrimit në lidhje me një dokument të dorëzuar për regjistrim nuk përbën, dhe nuk mund të interpretohet se përbën, çfarëdo lloji të vendimit juridik ose prezumimit juridik: a) se dokumenti përkatës ose cilado pjesë e tij janë të vlefshme ose të pavlefshme; ose b) se të dhënat e paraqitura në dokument janë të sakta apo të pasakta”, thuhet në këtë ligj.
E, mbi bazën e ndryshimeve në ARBK, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) kishte bërë bartjen e kontrollit të licencave nga Rexhep Shaqiri te Christopher Gilbert.
“KPMM-ja nuk është institucion që merret me verifikimin e nënshkrimit të palëve. Në këtë rast janë aplikuar rregullat në fuqi në përputhje me Ligjin për Miniera dhe Minerale. Ndërmarrja ka sjellë certifikatën e re të regjistrimit të biznesit dhe vendimin e ndërmarrjes me të cilin është konfirmuar ndërrimi i bartësit të licencës”, thotë Lartana Frangu, zyrtare ekzekutive në KPMM. “Në bazë të dokumentacionit që ka sjellë në KPMM, nuk kemi pasur arsye të dyshojmë për ndonjë parregullsi”.
Humbja e fitimi i milionave
E, përderisa institucionet shfajësohen për tjetërsimin e pronësisë dhe licencave për të tria guroret, Rexhep Shaqiri numëron humbjet prejse biznesi e guroret iu morën.
“Sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, për tri licencat e mia brenda këtyre dhjetë vjetëve jam dëmtuar në vlerë 128 milionë euro”, thotë ai. “Se sa kanë përfituar Christopher Gilbert, Etrur Rrustemi dhe ‘Fox Marble’ unë nuk kam njohuri, pasi ata nuk kanë qenë të interesuar të zhvillojnë biznes të sinqertë në Kosovë, por vetëm janë përpjekur të marrin të holla nga publiku këtu në Berzën e Londrës, pasi në të ishte vënë kompania ‘Fox Marble’ me asetet e mia”.
“Fox Marble” nuk tregoi se, pasi i mori guroret për të cilat i kishte siguruar licencat Shaqiri, në çfarë sasie gur i fortë është nxjerrë nga to dhe në çfarë vlere monetare. Po kështu, nuk ofroi të dhëna as për shumën monetare të fituar nga Bursa në Londër, falë licencave për këto gurore.
“Fox Marble” ka të regjistruar në ARBK një kapital prej më shumë se 13 milionë eurosh.
Ndërkaq KPMM-ja tha se guroret, për të cilat tri licencat i ishin lëshuar “Rex Marble”, por që nga viti 2014 i kanë kaluar në shfrytëzim Cristopher Gilbertit, kanë deklaruar diçka më shumë se 10 mijë metra kubë lëndë të nxjerra.
Mbështetja nga komandantët me pushtet
Kjo kompani është mbështetur edhe nga komandantë me pushtet në Kosovë.
Në fillim të tetorit 2016, në emër të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vënë firmën mbi një memorandum mirëkuptimi, të lidhur me kompaninë “Stone Alliance”. Veseli nuk kishte firmosur me ndonjë kompani tjetër memorandum të kësaj natyre. Madje, ishte kritikuar për të, shkaku që nuk është në natyrën e punës së kryeparlamentarëve të bëhen palë në marrëveshje të tilla për investime.
“Stone Alliance” është ndërmarrje e regjistruar në Shtetet e Bashkuara. Pronare e 59 për qind të aksioneve të saj ishte “Fox Marble”, në kohën kur memorandumi u nënshkrua.
Sipas memorandumit, palë e të cilit është Kuvendi i Kosovës, kompania duhet t’i sigurojë minimum 100 milionë euro nga burimet e jashtme për ta lehtësuar hapjen e 40 guroreve dhe fabrikave të mermerit në rajon, brenda një periudhe pesëvjeçare, me synimin që ta sigurojë prezencën e Kosovës në industrinë e gurit, duke krijuar më shumë se 2 mijë vende pune.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, Veseli e kishte vlerësuar këtë zhvillim si shumë të rëndësishëm. Ai kishte shprehur bindjen se nëpërmjet kësaj kompanie do të dërgohej mesazh se Kosova është një vend optimal për të investuar.
Në fund të janarit të 2019-s, Ramush Haradinaj si kryeministër kishte vizituar ndërmarrjen “Fox Marble”. Kreu i atëhershëm i Qeverisë kishte folur në superlativ për kompaninë dhe kishte thënë se 99 për qind të prodhimeve i eksporton për në Kinë, Indi, Angli, Shtetet e Bashkuara, Turqi dhe Dubai.
Në një komunikatë të Qeverisë, Haradinaj ishte cituar t’i ketë ofruar mbështetjen e Qeverisë, e edhe të ketë thënë se veprimtaria e ‘Fox Marble’ “mund t’i bëjë emër Kosovës”.
Një tjetër eksponent lufte që u lidh me të njëjtën kompani është Sami Lushtaku, i cili për një kohë ishte kryetar i Skenderajt dhe njeri me ndikim në politikat e nivelit qendror gjatë kohës sa vendi qeverisej nga Partia Demokratike, së cilës i takon. Ai u bë drejtor i “Fox Marble” për Kosovën. Lushtaku nuk iu përgjigj telefonatave të KOHËS dhe as nuk ktheu përgjigje në kërkesën për prononcim, që iu bë në formë të shkruar.
Resurset e mermerit në Kosovë ishin vlerësuar nga burimet e hartave sipërfaqësore dhe shpimeve të kryera në vitet 1960 dhe një sondazhi të fundit gjeofizik. Ishte nxjerrë konstatimi se ndodhen rreth 235 milionë metra kubë të gurit dekorativ. Mbështetur në dokument, “Golder Associates” ka nxjerrë vlerën e përafërt të burimeve të treguara të mermerit në tokë, në vlerë prej 16.5 miliardë eurosh.