Është suspenduar mbikëqyrësi i cili ka menaxhuar me veprimet policore ndaj aktivistëve të Partisë Socialdemokrate të premten, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të premten, tetë zyrtarë të PSD-së u arrestuan pasi shkruan me sprej në vetura zyrtare si protestë për marrëveshjen që Qeveria ka nënshkruar për “tiketën ngjitëse” si taksë shtesë për veturat që regjistrohen. Aksioni u përcoll me shumë polemika për shkak të përplasjes që patën zyrtarët policorë me aktivistët e PSD-së.
Policia në një komunikatë për media të premten në mbrëmje ka njoftuar se Inspektorati Policor ka filluar hetimet penale për veprimet policore mbi përdorimin e forcës. Në këtë fazë ndaj mbikëqyrësit që ka menaxhuar me veprimet policore është shqiptuar masa e suspendimit dhe procedura për përgjegjësi komanduese. Edhe ndaj mbikëqyrësve tjerë kompetentë është iniciuar procedura disiplinore për përgjegjësi menaxheriale.
Aktivitetin Policia e ka quajtur të paparalajmëruar ndërsa ka thënë se aktivistët e PSD-së dëmtuan 29 vetura zyrtare.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mbrojtjen e pronës private dhe publike. Policia e Kosovës ç’do here ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, shprehjen e pakënaqësisë, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, mirëpo në rastin konkret disa nga protestuesit kanë dëmtuar pronat publike, gjegjësisht njëzet e nëntë (29) vetura zyrtare, duke i dëmtuar me shkrime me ngjyrë (sprej) dhe ngjitës (stiker)”, thuhet në njoftim të Policisë.
Sipas Policisë, protestuesit s’u janë bindur urdhrave të policëve dhe kanë kryer sulm fizik ndaj tyre.
“Referuar situatës së krijuar, prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtimit të pronës publike, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar dëmtimin e pronës publike, mirëpo protestuesit duke mos iu bindur urdhrave të ligjshëm të zyrtarëve policorë, vazhdimit të dëmtimit të pronave publike si dhe sulmit fizik ndaj zyrtarëve policorë, të njëjtit janë detyruar të ndërmarrin veprime policore për të vënë situatën në kontroll dhe për të parandaluar dëmtimin e mëtejmë të pronave publike”, thuhet në reagimin e PK-së.
Nga tetë të arrestuarit, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është i vetmi i ndaluar për 48 orë. Ndaj tij është iniciuar rasti për “Sulm ndaj personit zyrtar”. Ndaj të tjerëve me udhëzim të prokurorit për mosbindje të urdhrave të ligjshëm dhe vandalizëm është shqiptuar kundërvajtja sipas ligjit për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike.
Për përdorim të tepruar të forcës Policinë e akuzuan edhe partitë opozitare. Ato përgjegjësinë ia hodhën pushtetit.