(E përditësuar në 13:10) - Liderët shtetërorë e politikë kanë nderuar heroin Zahir Pajaziti në 28-vjetorin e rënies së tij bashkë me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën.
Homazhe pranë shtatores së Zahir Pajaziti ka bërë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti së bashku me ministra e pjesëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.
Osmani ka thënë se liria dhe sovraniteti për të cilën sakrifikuan heronjtë, duhet të mbrohen vazhdimisht.
"Ideali për të cilin luftoi Zahir Pajaziti me shokë duhet të na shërbejë sidomos ne ditët e sotme, sepse liria e sovraniteti nuk janë të mirëqena. Ato vazhdimisht duhet të mbrohen e të mirëmbahen”, tha Osmani.
Për homazhe pranë shtatores së Pajazitit ishin edhe krerë të subjekteve politike bashkë me kandidatë për deputetë dhe anëtarë të tyre. Po ashtu, për homazhe ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Më 31 janar të 1997-s komandanti Zahir Pajaziti së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë në pritë nga forcat serbe, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.
Pajaziti është shpallur "Heroi i Kosovës".