Së paku 28 biznese ndërtimtarie në kryeqytet u gjobitën nga Inspektorati i Punës, pasi nuk respektuan urdhëresën që në orët kur temperaturat janë në pik, punëtorët të mos i ekspozojnë në ambient të hapur. Në ditën kur temperatura shkoi deri në 37 gradë celsius, u shtuan vizitat te mjekët, e të cilët rekomanduan qytetarët që t’i shmangin daljet gjatë ditës
Urdhëresa e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizim të orarit të punës për disa kategori, gjatë ditëve të temperaturave ekstreme, është mirëpritur nga qytetarët. Ata vlerësojnë se në ditët kur temperaturat mbërrijnë deri në 38 gradë celsius, duhet mbrojtur këdo me shëndet te cenuar.
“Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë e shoh të duhur se ka shumë njerëz që kanë probleme me sëmundje, e temperaturat e larta nuk munden m’i përballu”, ka thënë Bexhet Refiki.
Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë vendosi që gratë shtatzëna të lirohen nga puna ose të punojnë nga shtëpia, qytetarët me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë, dhe ndaloi punën në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapur gjatë orëve 11:00–17:00.
Por, urdhëresa nuk u zbatua nga një numër biznesesh të ndërtimtarisë. Të shtunën, 28 sosh në kryeqytet u gjobitën nga Inspektorati i Punës.
“Janë ndaluar punimet në punishten afër rrugës C dhe së paku edhe 28 punishteve të tjera vetëm në kryeqytet u janë ndaluar punimet, pa llogaritur inspektimet në zona e qytete tjera. Inspektorati ka proceduar me masa konkrete ndaj shkelësve”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë.
Shkaku i komplikimeve nga temperaturat e larta, një numër i qytetarëve ka kërkuar ndihmë mjekësore, në qendrat mjekësore të kryeqytetit.
“Valët e të nxehtit janë duke vazhduar dhe normal kemi një rritje të lehtë të numrit të pacientëve që po vizitohen në qendrat tona të mjekësisë familjare”, ka thënë Arieta Rudi-Pula, specialiste e mjekësisë familjare.
Ajo tregoi se cilët qytetarë janë më të cenuar nga vapa.
Më të rrezikuarit janë të moshuarit, janë gratë shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët. Duhet të shmanget dalja në pikun e ditës, në intervalin kohor prej orës 10 deri në orën 17, të shmangin kryerja e aktiviteteve dhe dalja në këtë interval kohor”, ka thënë Rudi-Pula.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se në vikend temperatura e ajrit do të mbërrijë deri në 38 gradë Celsius. Kjo vlerësohet si pikë e alarmit të kuq, meqë është mbi temperaturën mesatare të trupit të njeriut.