Mbi 1500 persona kanë kërkuar trajtim shëndetësor në komunën e Deçanit që nga e shtuna, nën dyshimet për helmim, ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha.
Ai ka thënë se 99 për qind e këtyre pacientëve kanë marrë shërbimet mjekësore. Sipas tij, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
24 nga këta pacientë janë referuar në Spitalin e Pejës.
Vetëm të martën rreth 75 persona kanë kërkuar ndihmë shëndetësore. Të gjithë kishin simptomat e njëjta, ka mësuar KOHA.
Në Deçan dyshohet se qytetarët u helmuan nga uji, ndërsa institucionet janë duke kryer hetime.
Në 24 orët e fundit dy qytetarë në Deçan kanë humbur jetën, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë thënë se këto raste s’kanë të bëjnë me helmim.