Arbëri

Nenad Çanak: Kosova – vend i së bukurës dhe vdekjes (dokumentar)

Ka ardhur në Kosovë. Dhe jo vetëm që ta shohë nga afër jetën a historinë këtu. Por t’ua tregojë atë të birit e nipit. Ose, më saktë – që edhe ata ta njohin sikurse ai.

Nenad Çanak tash e tridhjetë vjet është zë kundër luftërave a çfarëdo urrejtjeje midis popujve. Jo rrallë i sulmuar nga nacionalistët në vendin e tij.

Kosovën nuk e viziton si pjesë të Serbisë. Përkundrazi. Është i interesuar se si jetojnë shqiptarët dhe serbët në republikën më të re të Evropës.

I shoqëruar nga i biri 22-vjeçar, Milani, dhe nipi 38-vjeçar, Nenadi, të cilit ia ka dhënë emrin, kryetari i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës është i interesuar të mësojë për marrëdhëniet e tanishme midis shqiptarëve dhe serbëve.

Gjatë rrugës thotë të ketë kaluar shumë mirë. I përcjellë gjatë gjithë vizitës nga Policia e Kosovës, Çanak, 61-vjeçar, në tri ditët e javës së fundit të qershorit, ka qëndruar në një hotel jo larg qendrës së Prishtinës.

Por gjatë rreth 70 orëve i ka rënë të përballej edhe me situata të rënda emocionale që janë rezultat i agresionit serb mbi shqiptarët. Sikurse momenti kur takoi Luljeta Sharanin, së cilës ia kanë vrarë dy djemtë dhe bashkëshortin.

“Pa i bo askujt asgjë hiç.. Familjes Sharani vetëm tanket s’i kanë qenë në oborr. Të armatosur deri në dhëmbë. Ne me duar thatë, me duar në xhepa...”, i thotë Sharani me zë të dridhur e lot në sy. Nuk është i gjatë komunikimi me të. Por mjaftueshëm sa për t’ia rrëfyer krejt ngjarjen. Dhe dhimbjen që ndien ajo edhe sot, 22 vjet pas luftës. Sharani i flet Çanakut, në detaje, me data, momente, e dialogë me të bijtë në çastet e fundit të jetës së tyre.

Image

“Një natë më parë, më 9 maj (1999) më ka thënë Valoni: ‘Mamë, nuk i vesha planikat që të mos iu dukem i gjatë, i vesha papuçet me dalë në oborr. Se ka qenë më i gjati prej të gjithëve.. Kur i kam thënë të nesërmen: ‘Mos dilni bre në oborr, thashë fshihuni diku’. ‘Mamë’, tha, ‘ku me u fsheh?’ Nuk dita, veç thashë t’iu shti mama edhe një herë në bark qysh ju pata, nuk dita ku me ju thanë me u fshehë se ishim të rrethuar shumë. Të pafajshëm...”, i ka thënë Sharani, tek në duar mbante fotografinë me portretet e familjarëve të vrarë nga regjimi serb. Politikanit serb, shoqëruar nga i biri i drejtohet edhe më. “Me çfarë sakrificash prindi i rritë fëmijët. Me ardh’ gatshëm me t’i ekzekutu’ pa të bërë asgjë. Pse vetëm jemi shqiptarë?! Qenka dashtë me qenë tjetër nacionalitet për mos me na vra. Shqiptarë na fali Zoti, shqiptarë do të vdesim, ata vend këtu nuk kanë. Kriminelët që kanë bërë krime, këtu vend më nuk kanë”, i ka thënë Sharani.

Image

Por, para kësaj përballjeje me vuajtjen, Nenad Çanak kishte lënë prapa dy ditë vizitë nëpër Kosovë.

Në mision për demistifikimin e çështjes së Kosovës me të cilën abuzohet në Serbi

Sapo ka arritur në kryeqytetin e Kosovës, demokrati serb ka thënë se e ka të qartë se çfarë synon me një vizitë si kjo.

“E vetmja mënyrë për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm për regjionin është duke ndryshuar mënyrën e mendimit të njerëzve. Sepse nëse shkoni në të njëjtën rrugë gjithmonë, ju do të shkoni në vendin e njëjtë gjithmonë. Nëse përdorni metodat e njëjta gjithnjë, do të keni rezultate të njëjta”, ka thënë Çanak pak orë pasi mbërriti në Kosovë. E ka të qartë se me çfarë arsyeje ka ardhur në vend. “Qëllimi është të ndryshohen këto gjëra dhe këtu jam duke tentuar ta bëj këtë. Të bëj një lloj demistifikimi të çështjes së Kosovës me të cilën tmerrësisht abuzohet në publikun serb”.

Image

Është i hapur për çfarëdo pyetjeje. Fokus i tij janë gjeneratat e reja. Tregon se i biri Milani i kishte thënë se shumë flitet për Kosovën, por serbët dinë shumë pak për të.

E Çanak, për 16 vjet deputet në Parlamentin e Serbisë, deri vitin e kaluar, me goxha vullnet do t’u tregojë të birit dhe nipit se si është Kosova.

Pasi pushon pak në hotel vendos të niset drejt Prizrenit. Kisha ortodokse e Shën Gjorgjit i bën nikoqirllëk.

Prifti i ri është ai që ia shpjegon versionin zyrtar të historisë së Kishës që ndodhet në zemër të qytetit, krejt afër kishës katolike dhe xhamisë më ikonike të kryeqytetit historik të Kosovës. Prej aty, Çanak, që për katër vjet ishte kryetar i Asamblesë së Vojvodinës, thotë se trashëgimia kulturore është e të gjithëve.

“U takon njerëzve që jetojnë dhe kanë jetuar këtu. Mosruajtja e saj i bie të shkatërrohet një pjesë e historisë dhe identitetit të atyre që kanë jetuar në Prizren. Të të gjithëve. Jo të serbëve, jo të ortodoksëve, jo të të krishterëve. Është çështje e kulturës dhe e trashëgimisë kulturore. Të mbash të gjalla vendet si ky nuk është çështje religjioze, por çështje e civilizimit”, ka thënë Çanak, në oborrin e Kishë së Shën Gjorgjit.

Shishja në Lumëbardh si çështja e Ballkanit

Në qytet nuk ecën shumë. I kushtoi pasioni për motoçikletat “Harley Davidson” kur pësoi aksident.

Image

Për drekë ndalet në një restorant buzë Lumëbardhit. I bën përshtypje një shishe në lumë dhe menjëherë ia nxit tërheqjen e një paraleleje se si duhet të pastrohet Ballkani.

“Ajo mbeturinë nuk do të zhduket. Do të qëndrojë gjithmonë aty nëse nuk e marrim. Kjo është poenta. S'ka lumë, s'ka vërshim që mund ta largojë. Vetëm njerëzit mund të shkojnë atje, ta marrin dhe ta hedhin në mbeturina”, thotë Çanak buzë Lumëbardhit.

Në Patrikanën e Pejës për vlerat e brendshme humane

Pasi çlodhet pak edhe me një birrë Peje, është radha për destinacionin tjetër. Bashkë me shoqëruesit do ta shohë Patrikanën e Pejës. Është një prej katër monumenteve të shfrytëzuara nga Kisha Ortodokse e që janë në Listën e UNESCO-s si monumente në rrezik. Meqenëse orari i vizitave ka përfunduar, te porta hyrëse bëhet njëfarë rrëmuje. Policët e Njësitit të trashëgimisë kulturore nuk dinë si të veprojnë pa komunikuar me personelin e Patrikanës dhe eprorët e tyre. Pas disa minutash lejohet që eskorta të hyjë. Me të mbërritur në oborr shihet një flamur gjigant serb. Klerikët nuk vonojnë të tërheqin vërejtjen se ndalohen xhirimet në monumentin mesjetar, në hyrje të Grykës së Rugovës.

“Dua të them një gjë”, ka thënë Çanak, pasi shpejtazi ka vizituar Patrikanën e Pejës. “Secili tempull me njerëz besimtarë është diçka ku njerëzit duhet të shkojnë nganjëherë që t'ia rikujtojnë vetes vlerat e brendshme humane. Çdo përshkrim tjetër mendoj se do të ishte shumë i ashpër për ta thënë”.

“Jam shumë i lumtur, kryeministri Kurti gjeti kohë për mua”

Dita e dytë e vizitës ka një agjendë më të ngjeshur. Gjithçka fillon në mëngjes me takimin që ka me kryeministrin Albin Kurti dhe me deputetin, ish-të burgosurin politik, Hydajet Hyseni. Kurti e Çanak midis të tjerash kanë biseduar edhe për të pagjeturit e luftës së fundit. Prej mbi 10 mijë viktima civile, mbi 1.600 mbetje mortore nuk janë gjetur ende. Shumica prej tyre dyshohet të jenë në varrezat masive në shtetin ku jeton Çanak. Takimi zgjat goxha, e Çanak i është mirënjohës kryeministrit Kurti.

Image

“Kishim një bashkëbisedim shumë të gjatë dhe të frytshëm”, ka thënë Çanak sapo ka dalë prej takimit me kryeministrin Kurti. Ka thënë t’i ketë shpjeguar aspekte të veçanta të politikës së brendshme të Kosovës, pozicionin e Kosovës ndaj Serbisë dhe po ashtu ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe veçanërisht për relacionet me komunitetin ndërkombëtar.

është e rëndësishme se si e mban emrin ky apo ai vend, por nëse janë të lumtur njerëzit që jetojnë aty. Ky është një hap i rëndësishëm përpara, pasi mungesa e dialogut do të thotë rritje e rrezikshmërisë për moskuptime dhe konflikte. Jam shumë i nderuar që kryeministri Kurti gjeti kohë për mua”, ka thënë Çanak.

Mësimi nga Gazimestani

Me një kurorë lulesh me vete, Çanak është nisur te monumenti i Gazimestanit. Pikërisht në përvjetorin e Betejë së Kosovës, kur nga Serbia e vende të tjera jo pak veta ia mësyjnë Kosovës si vend i shenjtë serb, ai ka zgjedhur të qëndrojë aty. Por këtë e ka bërë nja dy orë para se të nisë ceremonia e shënimit të përvjetorit.

Image

Është vendi ku më 1989 Slobodan Milosheviq u ishte drejtuar rreth një milion njerëzve. Fjalimi i famshëm antishqiptar ishte paralajmërim se nacionalizmi serb po ia shtinte flakën ish-Jugosllavisë. Disa prej të rinjve që janë mbledhur para ceremonisë në Gazimestan e provokojnë politikanin serb. Pasi vë kurorën te monumenti, Çanak u rrëfen një pjesë të historisë të birit e nipit. Bën një krahasim kohësh. Sipas tij, secili duhet të mësojë nga ky vend, sepse më 1989 Milosheviqi erdhi këtu me helikopter dhe qëndroi përballë mbi 1 milion njerëzve që prisnin për fjalimin e tij historik.

“11 vjet pas asaj dite ai fluturoi po më helikopter drejt Hagës për t’u gjykuar për krime kundër njerëzimit”, ka thënë Çanak. Thotë se ajo që shihet sot, te monumenti i Gazimestanit, ka domethënie.

“Pak njerëz janë përreth nesh, vetëm pak të rinj kanë ardhur për të respektuar këtë datë. Një milion janë duke munguar dhe ky është një mesazh i rëndësishëm. Pra, mendoni për këtë!”, është porosia e tij.

Pasi largohet prej aty, pushon pak para takimeve të pasdites. Përderisa vetë është kthyer në Prishtinë, të birin e nipin i ka nisur sërish në Gazimestan. Detyra e tyre ishte ta përshëndesnin patriarkun Porfirije në emër të Çanakut. Për udhëheqësin e ri të Kishës Ortodokse Serbe ka goxha respekt. Qysh në ditën e parë të vizitës në Kosovë kishte thënë se Porfirijen e ka mik dhe se ka besim që ai do të bëjë ndryshime.

Unë mendoj se... normalisht Kisha është organizatë e ngadalshme. Por ai më jep shpresë që Kisha nuk do ta luajë rolin që e ka luajtur deri tani”, ka thënë Çanak.

Midis vizitës në Gazimestan dhe Graçanicë, Çanak ka takuar një pjesë të shoqërisë civile në Prishtinë. Me Veton Surroin, Blerim Shalën dhe Agron Bajramin ka qëndruar rreth dy orë. Prej aty është nisur drejt Graçanicës.

Atje e ka pritur koordinatorja e Shoqatës së të kidnapuarve dhe të të zhdukurve, Silvana Marinkoviq, së bashku me një serb që e ka prindin e zhdukur. Pas rreth një ore takim, nikoqirët nuk kanë dashur që të jepnin shumë informacione për përmbajtjen e bisedës.

Politikani i parë serb që vë lule te varret e shqiptarëve të vrarë nga regjimi i Millosheviqit

Agjenda e ditës së tretë është histori më vete. Përballjet nuk do të jenë të lehta. E Çanak shpesh fjalët do t’i konsiderojë si të pafuqishme që të përshkruajë emocionet dhe historinë. Në jetë rrallë i ndodh t’i mungojnë fjalët.

Kompleksi i varreve të martirëve në Mejë të Gjakovës është vendi i parë ku qëndron bashkë me Veton Surroin dhe deputeten Mimoza Kusari-Lila. I shpjegohet se vendi ndryshe njihet si “Lugina e pikëllimit”. Aty në prillin e 1999-s u vranë 374 civilë. Prej tyre 36 ishin nën 18 vjeç. Çanak bën homazhe dhe vendos lule te varri i zbrazët, pasi disa trupa ende nuk janë gjetur. Tronditet kur merr vesh se disa familje janë shuar në këtë masakër dhe se në mesin e të vrarëve është edhe një vajzë 7-vjeçare.

Image

“Është më të vërtetë diçka ku fjalët janë të varfra për ta shpjeguar, pasi të gjithë e dimë se çfarë mund të prodhojë urrejtja”, ka thënë Çanak i tronditur.

Image

Kur sheh diçka të tillë, sipas tij, vetvetes ia shtron pyetjen se çfarë ka ndodhur me humanitetin, çfarë ka ndodhur me njerëzit që kanë marrë pjesë në këtë krim të tmerrshëm.

“Të vrasësh vajzën 7-vjeçare vetëm pse nuk ka dashur të qëndrojë vetëm pa prindërit... E vetmja gjë që mund të them është se nuk kam fjalë”, ka thënë ai.

Por Çanaku do t’i njohë vuajtjen e tmerrin edhe më afër.

Është Luljeta Sharani ajo që te varrezat e 107 martirëve në “Çabrat” e pret Çanakun me fotografi në dorë. Në majin e vitit 1999 asaj i janë rrëmbyer nga shtëpia e më pas i janë vrarë të dy djemtë: Valoni, 22-vjeçar, dhe Visari, 20-vjeçar. Bashkëshorti Skyfteri bashkë me vëllezërit e tij po ashtu janë në mesin e viktimave.

Kërkesa që Sharani ia bën me dije Çanakut, si porosi për autoritetet serbe, është e drejtpërdrejtë dhe e prerë.

“Vetëm duhet me dalë para drejtësisë, me marrë dënimin e merituar, me e pranu shtetin si shtet, me kërku kërkimfalje, nuk na e zbehë dhimbjen as plagën kërkimfalja, por atë moralen, kërkimfaljen, duhet me e kërku. Ata erdhën këtu, ne nuk shkuam atje të luftojmë”, i ka thënë Sharani. Për asnjë moment, fotografinë s’e heq nga dora. I drejtohet edhe të birit të Çanakut, Milanit.

“Nëse e ndien dhimbjen e nënës, shpirtërisht, moralisht, ka ndjenja shpirtërore, se nesër do të bësh fëmijë vetë. Pas pesë vjetësh e kanë kthyer burrin. Grupin e parë, që filluam ne nënat t’i kthejmë kufomat. Në grupin e parë ka qenë kunati, pas pesë muajsh burri. Tash pushojnë këtu në këtë tokën ku e kanë rritur shtatin”, u ka rrëfyer Sharani vizitorëve nga Serbia. U thotë se krejt e kupton serbishten, se e ka ditur si shqipen. “Tash s’kam më, asnjë germë ta flas, nuk më kanë lënë”, ka thënë Sharani.

Në dalje prej varrezave, Sharani u thotë se i kupton nëse janë tronditur.

“Një gur të vijë këtu, lëviz, lëre më një njeri që ka ndjenja njerëzore. Sikur të ishim ballafaquar me armë, do të ishte ndryshe. A s’kemi të drejtë të kërkojmë çka po kërkojmë!? Kërkojmë kërkimfaljen, kërkojmë 1.600 të zhdukurit, që ende konsiderohen të pakthyer, që të pushojnë me shokët e vet. Me ardhë nënat e veta t’i vizitojnë këtu... t’i dinë që neve na kanë dhunuar, ende po na dhunojnë psikikisht. Ende luajnë me neve. Le t’i kthejnë të gjithë trupat, emrat e mbiemrat i dinë ata...”, i ka thënë Sharani.

Çanak është i pari politikan serb që vë lule te varret e shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb.

Pas takimit me Luljeta Sharanin, Çanaku thotë se fjalët s’kanë fort peshë.

“Unë nuk kam çfarë të them. Kam ardhur këtu me familjen time që këta të rinj ta shohin se si duket kjo, meqë unë jetën ia kam dedikuar pikërisht kësaj: betejës kundër marrëzisë, urrejtjes dhe krejt këtyre...”, i drejtohet Sharanit.

ardhur që ata ta shohin dhe të vazhdojnë, sepse vetëm nëse vazhdohet beteja kundër krejt këtyre, atëherë mund të arrihet drejtësia. Tjetër gjë s'kam çfarë të them, sepse këtu s'ke çfarë të thuash më”.

Kjo mbase ishte dita më e vështirë e Çanakut në Kosovë.

“Kosova, vendi ku tregohen gjëra të tmerrshme e të papërshkrueshme”

Pas Gjakovës niset për në Deçan. Do të vizitojë Manastirin. Kishte planifikuar ta bënte natën aty. Nuk mund të hyjë pa dorëzuar letërnjoftimin te paqeruajtësit e KFOR-it. Në oborr xhirimi është krejtësisht i ndaluar.

Por planet e Çanakut kanë ndryshuar. Pas rreth një ore e gjysmë qëndrimi në Manastir, personeli i të cilit udhëhiqet nga abati Sava Janjiq, Çanaku ka ikur prej aty. Ka thirrur Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar që sa më shpejt të përcillet për në kufirin me Shqipërinë, pasi do të shkonte në Mal të Zi.

Tri ditët në Kosovë, politikanit me tri dekada karrierë, i mjaftojnë të nxjerrë konkluzione. Edhe aso për të ardhmen.

Ka thënë se Kosova është një prej vendeve më të bukura që ka parë në botë.

“Hapësirë shumë e pasur me monumente të mahnitshme, me njerëz me shumë pasion, humanë, duke tentuar që të jetojnë në kushtet që janë. Është hapësirë ku tregohen gjëra të tmerrshme e të papërshkrueshme që njerëzit ua kanë bërë njëri-tjetrit”, ka thënë Çanak në hyrje të Manastirit të Deçanit. Sipas tij, është obligim i të gjithëve që të tentohet, që ky vend të bëhet i qasshëm për secilin njeri, për jetesën e përbashkët të të gjithëve. Kjo, sipas tij, nuk i takon historisë, ndonjë kombi a besimi. “Mendoj se Kosova i takon të gjithë njerëzimit”, ka thënë bindshëm ai.

Por për vendin ka edhe një tjetër përkufizim: “Kosova është hapësirë e së bukurës dhe vdekjes”.