Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Liburn Aliu, dhe të akuzuarit e tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi.
Ata ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë akuzë, gjashtë të lartpërmendurit janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 30 prill.
Ndaj ministrit Aliu rëndojnë akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, rezulton se Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim