Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka diskutuar për hapat e mëtejmë lidhur me procesin e dialogut, në kuadër të takimit joformal me kryeministrin Albin Kurti që po mbahet në Bruksel.
“Në margjinat e takimit joformal të Ballkanit Perëndimor sot, isha i lumtur që u takova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për të vazhduar diskutimet tona rreth hapave të mëtejmë në dialog”, ka shkruar ai në Twitter.
Lajçak ka takuar edhe kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq. Përveç temës së dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak ka shkruar se me të kanë biseduar edhe për zhvillimet rajonale dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri Kurti sot ka qëndruar në Bruksel. Takimin atje e ka cilësuar si darkë tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe jo si takim që lidhet me dialogun.
Në fund të prillit, Kurti pati qëndruar në vizitë dy ditore në Bruksel ku pati zhvilluar takime me krerët më të lartë të BE-së.