Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat e Kosovës, ka protestuar sot për shkak të gjendjes së rëndë të punëtorëve të sektorit privat.
Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajazitit” për të vazhduar deri te Teatri Kombëtar.
“Ne nuk jemi rob, por jemi punëtorë” e “Stop diskriminimit” ishin disa prej pankartave të cilat i mbanin në dorë punëtorët e sektorit privat në Kosovë, të cilët protestuan pikërisht më 1 Maj – Ditën e Punëtorëve.
Punëtorët e sektorit privat kanë kërkuar pagë minimale prej 300 euro dhe po ashtu respektim të Ligjit të Punës.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se vendi po përballet me pandeminë e ardhur nga Zoti dhe atë të Qeverisë. Para protestuesve, Azemi ka thënë se punëtorët privatë po punojnë me pagat më të vogla në rajon duke thënë se edhe siguria në punë është në gjendje të dobët.
“Te siguria jemi më të fundit në rajon. Kur një punëtor humbë jetën qeveria nuk e kthen kokën për të shikuar nëse një punëtor mund të mbulojë ceremoninë e varrimit me pagën e tij 200 euro. Qeveria premtoi se me pakon ekonomike punëtorët do të paguhen tri herë më nga 300 euro, por kjo nuk ndodhi”, ka thënë ai.
“1 Maji, punëtorët e Kosovës po i gjen në një pozitë shumë të rëndë, të përbuzur dhe të injoruar nga institucionet dhe nga punëdhënësit, prej vitit 1985 kur për herë të parë pas një sakrifice të madhe u vendosen disa të drejta elementare për punëtorët. Një prej këtyre të drejtave elementare është orari i punës. Kjo është një marshim, protesta paralajmëruese për arsye se nëse vazhdohet me këtë trend të papërgjegjësisë, ne nuk do të ndalemi me protesta”, ka thënë Alush Sejdiu, kryetar i Sindikatës për Transport dhe Lidhje të Kosovës
Ata kanë kërkuar po ashtu të formohet Gjykata e Punës e cila do të merrej vetëm me kontestet e punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Në shenjë simbolike, punëtorët e sektorit privat kanë hedhur në tokë mjete mbrojtëse të punës si dhe kanë vendosur pankartat e tyre afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.