Kosova është në mesin e vendeve që pritet të marrë 100.620 doza të vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, si pjesë e programit COVAX.
Në një komunikatë të lëshuar nga ky program bëhet e ditur se vala e tretë e shpërndarjes së vaksinave do të bëhet nga prilli deri në qershor.
Ndërkohë që Kosova ka vazhduar me vaksinimin e të moshuarve mbi 85 vjeç, me vaksinat e AstraZenecas.
Gjatë së hënës janë vaksinuar 88 qytetarë.
Përveç kësaj, po vazhdon edhe trajtimi me plazmë i pacientëve të infektuar me COVID. E rritja e numrit të të infektuarve ka bërë që të rritet edhe kërkesa për plazmë.
Sipas raportit ditor të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, 8 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit.
Ndërsa janë shënuar 345 raste të reja, numër ky dukshëm më i ulët se ditëve të kaluar. Kjo, për shkak që janë testuar edhe më pak persona.
Të hënën është raportuar për testimin e 3208 mostrave, mbi 1000 testime më pak se të dielën.