Arbëri

Kurti dhe Kosnetti diskutojnë për zhvillimet në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë Philip Kosnett, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Siç bëhet e ditur për media, ambasadori Kosnett e uroi Kurtin për marrjen e detyrës dhe ka shprehur kënaqësinë për arritjen e 24 mijë vaksinave kundër COVID-19 në Kosovë.

Në anën tjetër, Kurti e ka falënderuar ambasadorin për vizitën dhe për rolin e ShBA-së në sigurimin e kontingjentit të parë të vaksinave, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe mbesin partner i pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj përballë sfidave me të cilat ballafaqohet.

Ambasadori Kosnett dhe kryeministri Kurti diskutuan edhe për zhvillimet rreth përmbylljes së konsolidimit të institucioneve shtetërore bazuar në vullnetin e qartë qytetar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Kurti gjithashtu ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando. Sipas njoftimit, ai ka konfirmuar përkrahjen e Italisë ndaj Qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj, dhe ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së tij për të vazhduar dhe avancuar dhe më tutje bashkëpunimin e tanishëm.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orlando për vizitën, dhe për urimet e tij dhe të Qeverisë së Italisë. Italia është partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, u shpreh Kryeministri, dhe në këtë drejtim e siguroi që Qeveria e udhëhequr nga ai është sa e gatshme aq edhe e përkushtuar për bashkëpunim ndërshtetëror në të gjitha fushat me interesa të përbashkëta, teksa iu falënderua ambasadorit të Italisë për ndihmën e vazhdueshme ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim.