Arbëri

Të hënën konstituohet Kuvendi, për Qeverinë nuk është vendosur

Me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, të hënën nis konstituimi i institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Pas konstituimit të legjislaturës së tetë pritet të votohet kabineti qeverisës me kryetar Albin Kurtin, por në Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse kjo do të ndodhë të njëjtën ditë. Për votimin e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë, koalicioni fitues i ka siguruar votat e mjaftueshme, por jo edhe për votimin e presidentes, që kërkon pjesëmarrjen e 80 deputetëve në votim

Konstituimi i legjislaturës së tetë, ku pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, do të bëhet të hënën në orën 10:00.

Sipas njoftimit të administratës së Kuvendit, pikë e parë do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Edhe pse janë premtuar veprime të shpejta në konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë votimit të kabinetit qeverisës, një gjë e tillë nuk është e sigurt. Kjo, për shkak të mosmarrëveshjeve mes komuniteteve joserbe, disa prej të cilave ende nuk janë përcaktuar nëse do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës.

Për pasojë, ato nuk kanë një marrëveshje për emrin që duhet ta propozojnë për nënkryetar të Kuvendit, i cili u takon në bazë të Kushtetutës.

Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke ka thënë se, para seancës do ta kenë edhe një takim me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, teksa nuk e ka përjashtuar mundësinë që nënkryetari të zgjidhet me rotacion.

“Nesër në mëngjes kemi mbledhje me komunitetet, e vendosim. Ndoshta nënkryetarin nga komunitetet joshumicë do ta kemi me rotacion. Sidoqoftë, gjithçka vendoset nesër dhe nuk presim të ketë mosmarrëveshje”, ka thënë Damka.

Sa i përket votimit për Qeverinë, Damka ka thënë se nuk kanë vendosur ende.

Legjislatura nuk konsiderohet e konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetarët.

Ndërkaq, një proces votimi zhvillohet në pako për nënkryetarët e propozuar nga partitë e komunitetit shumicë, kurse votimi i dytë bëhet për dy nënkryetarët e tjerë – atë serb dhe nënkryetarin që propozohet nga komunitetet e tjera jo serbe.

E, votimi për kryetarin e Kuvendit bëhet veçmas.

E drejta e propozimit të kandidatit i takon partisë fituese dhe ai pritet të jetë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Nuk dihet nëse edhe Qeveria do të votohet të hënën dhe se kush do ta ushtrojë detyrën e presidentit, pas zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri.

Por zyrtarë të Vetëvendosjes kanë lënë të kuptohet se kryeparlamentarja aktuale, Osmani, do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e kreut të shtetit dhe se zgjedhja e Qeverisë do të bëhet para zgjedhjes së presidentit.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e quan të gabuar rrugën që synohet të ndiqet.

“Shihet shumë qartë që nesër (e hënë v.j.), pas formimit të Kuvendit, do të shkohet në rrugën e gabuar të themelimit të ekzekutivit e më pas të organit tjetër që nuk është pushtet dhe që quhet Presidenti i Republikës. Kjo bëhet për arsye politike dhe politikisht dhe mund të duket në rregull. Në aspektin kushtetues, ndërkaq, kjo nuk është kështu: renditja e organeve kushtetuese domosdo që imponon nevojën e ndjekjes së hierarkisë së tyre të përcaktuar me Kushtetutë. E kam fjalën për formimin e tyre që ndodh pas zgjedhjeve të reja të përgjithshme”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, gabim i madh është kur thuhet se “lejohet çdo gjë që nuk ndalohet shprehimisht me Kushtetutë”, “sepse normat kushtetuese nuk janë norma penale, në pjesën e tyre dërrmuese”.

“Shumë rrallë normat kushtetuese ndalojnë. Ato kryesisht autorizojnë. Në të drejtën penale mund të ndiqet logjika e tillë, por asnjëherë në të drejtën kushtetuese. Kjo, sepse një logjikë e tillë pashmangshëm shpie në anarki dhe kaos. Këtë herë mund t’i duket mirë dhe ëmbël dikujt, por herën tjetër do t’i vijë keq për një gjë të tillë. Radhitja e organeve në një kushtetutë është normë implicite kushtetuese”, ka potencuar profesori i së drejtës ndërkombëtare. Ai ka shtuar se, askund në Kushtetutën e Kosovës nuk parashikohet tradhtia kombëtare nga ana e shefit të shtetit, por ajo nënkuptohet.

“Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk parashikohet ndalimi i Presidentit të Republikës për të qenë shef i partisë politike, por një President i Kosovës ka paguar çmim për këtë sepse një ndalesë e tillë del nga vetë natyra e sistemit kushtetues kosovar; askund në Kushtetutën e Kosovës nuk thuhet se Presidenti e ka të ndaluar nënshkrimin e marrëveshjeve për këmbim territoresh, por një gjë e tillë nënkuptohet, sepse është normë implicite kushtetuese...”, ka theksuar Hasani.

Ai nuk sheh të ketë ndonjë pengesë për formimin e organit ligjvënës, për shkak se kryetari i Kuvendit i takon, sipas normës shprehimore kushtetuese, fituesit të zgjedhjeve, këtë rast LVV-së.

Para seancës konstituive pretenduesi për kryeministër Albin Kurti dhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani kanë takuar përfaqësuesit e të gjitha subjekteve.

Deri tash Kurti e ka siguruar shumicën për votimin e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë. Përpos 58 deputetëve të Vetëvendosjes, ai e ka mbështetjen edhe të 5 deputetëve nga radhët e komuniteteve.

Por votat nuk janë të sigurta edhe për presidenten, e cila mund të zgjidhet me 61 sosh, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

PDK-ja dhe AAK-ja e kanë përjashtuar mundësinë e bërjes së kuorumit.

Në PDK kanë përmendur edhe mundësinë e nxjerrjes së një kandidati tjetër për president.

“Ne do ta japim kontributin vetëm nëse do të kemi një president i cili do të përfaqësonte unitetin e qytetarëve dhe të spektrit politik. Kurdo që të jetë në rend të ditës tema e presidentit, ne do të bashkëbisedojmë si parti udhëheqëse e opozitës me partitë e tjera opozitare për të shikuar mundësinë e një personi konsensual. Për këtë jemi të hapur të bisedojmë edhe me ata që i kanë fituar zgjedhjet. Nëse mund të arrijmë tek një person që mund të përfaqësojë unitetin e popullit dhe të spektrit politik, ne do ta mbështesim”, ka thënë Betim Gjoshi nga PDK-ja.

Duke komentuar për mundësinë e zgjedhjeve të reja, ai ka shtuar se ato nuk po i kërkon PDK-ja.

“Është përgjegjësi e fituesit. Fituesi i zgjedhjeve i ka fituar votat e qytetarëve për t’i ndërtuar institucionet. Ata duhet të jenë për ta treguar një sjellje karshi partive të tjera, e cila do t’i bindte ata të votojnë një kandidat të pranueshëm. Nëse vendi shkon në zgjedhje, përgjegjësia është e qartë. Deri më tani nuk kemi pa një interes të Albin Kurtit që ta bëjë Vjosa Osmanin presidente. Përndryshe do të kishte një renditje tjetër të temave”, ka theksuar Gjoshi.

Ndërkaq Lidhja Demokratike nuk ka dhënë një qëndrim përfundimtar.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se këtë do ta vendosin pas një takimi që do ta zhvillojnë vetëm me Osmanin kur të vijë në rend dite çështja e presidentit.

KOHA ka raportuar se vendimmarrja e LDK-së rreth pjesëmarrjes në votim ose jo të presidentes, do të varet nga e ardhmja e partisë së Vjosa Osmanit dhe nga deputetët që kanë fituar ulëse në kuadër të Vetëvendosjes.

Burime brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se kryetari i LDK-së, Abdixhiku, dëshiron të sigurohet që Osmani nuk do t’i shtrijë strukturat partiake ku do të prekej elektorati i LDK-së. Kreu i LDK-së edhe në deklaratat e fundit ka kërkuar që kandidatja për presidente ta qartësojë pozicionin karshi LDK-së, si dhe deputetët që i takojnë grupimit të Osmanit ta qartësojnë nëse do të jenë pjesë e Qeverisë apo e opozitës.

Zgjedhja e shefit të shtetit duhet të bëhet më së largu deri më 5 prill, një muaj para se t'i skadojë afati mandatit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Osmanit.

Dështimi për ta zgjedhur presidentin e ri çon në zgjedhje të reja.

 ***

Emrat e mundshëm

Kryeparlamentar - Glauk Konjufca

Kryeministër - Albin Kurti

Presidente - Vjosa Osmani

Zëvendëskryeministër - Besnik Bislimi

Donika Gërvalla- zv.kryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme

Xhelal Sveçla- Ministria e Punëve të Brendshme

Arbërie Nagavci- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Arben Vitia - Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Financave- Hekuran Murati

Ministria e Drejtësisë- Albulena Haxhiu

Ministria e Tregtisë- Rozeta Hajdari

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit- Hajrullah Çeku

Ministria e Bujqësisë- Faton Peci

Ministria e Mjedisit- Liburn Aliu

Ministria e Pushtetit Lokal: Emilja Rexepi

Ministria e Mbrojtjes?

Dy ministri për Listën Serbe