Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izraeli me seli në Jerusalem, bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit.
MPJD-ja ka njoftuar se gjatë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1 shkurt të vitit 2021, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kishte bërë zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të ngarkuarën me punë në Izrael që pllakën e zbuluar nga ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jerusalem. Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet nga MPJD-ja.
Ndaj vendimit për hapjen e Ambasadës në Jerusalem kishte pasur ankesa nga Liga Arabe e po ashtu edhe nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Madje edhe nga BE-ja kishte reagime.
Bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit, Izraeli ka njohur shtetësinë e Kosovës e si këmbim Kosova ka pranuar hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Është shteti i parë me shumicë myslimane që ka hapur Ambasën në Jerusalem.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Besnik Tahiri, do të mbajë sot nga ora 13:30, konferencë për media me rastin e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.