Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar partitë tjera që të diskutojnë për zhvillimet në vend, ndër të tjera edhe për çështjen e presidentit.
Vetëvendosje ka propozuar Vjosa Osmanin për presidente, derisa nga kjo parti të enjten kanë paralajmëruar një takim me subjektet politike.
Në letrën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidates për presidente, Vjosa Osmani, drejtuar liderëve të partive tjera theksohet se takimet do të mbahen në formatin 1+1, me takimet që planifikohet të nisin në orën 11:00 të 15 marsit, me kreun e PDK-së, Enver Hoxhaj.
Siç thuhet aty, takimi do të mbahet “me qëllim që procesi i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionin në fuqi”.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani, që u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në listën e VV-së mori mbi 300 mijë vota.
VV-ja fitoi 58 ulëse sipas rezultateve përfundimtare.
Për të zgjedhur presidentin, Vetëvendosjes i duhen së paku 80 deputetë në sallë në momentin e zgjedhjes. Deri tash asnjëra nga partitë tjera s’ka thënë se ka vota për Osmanin.
