Nexhmi Hyseni qytetar nga Batllava e Podujevës ka protestuar sot para Ministrisë së Bujqësisë për siç thotë ai, padrejtësitë që janë bërë nga udhëheqësit e kësaj ministrie.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Besian Mustafa pas skandalit me subvencione.
“Sot një vendim që e kam marrë prej Gjykatës Themelore erdha t’ia dorëzoj ministrit edhe t’i kërkoj ministrit që sa më shpejtë të jep dorëheqje dhe t’u kërkoj fermerëve falje se me udhëzimet e tij është vendosur kryeshef, kryehajni Agim Nuha. Atë e kanë vendosur vetë ministri Besian Mustafa. Kështu që kërkojmë prej tij sa më shpejt të japë dorëheqje dhe të kërkojë falje publike sepse unë dhe disa fermerë kemi qenë në zyrë dhe e kemi njoftuar për problemet që na i ka shkaktuar Ministria e Bujqësisë por ai as që ka dashur të dëgjojë, ka thënë unë vendosi vetë ju merruni me Gjykatë e Prokurori”, ka thënë ai.
Hyseni tutje ka shtuar se kësaj kategorie nuk po i jepet mundësi as t’i ndjek rrugët ligjore për padrejtësitë që u shkaktohen, pasi thotë se lëndët në gjykata po zgjasin me vite.
“Tash Ministria e Bujqësisë është ankuar në Gjykatë të Apelit, kjo është prej 2013 tash jemi 2021 më shumë se 7 vjet. Tash Gjykata Apelit e vonon edhe 7 vjet, qysh mund ta luftojnë fermerët korrupsionin duke pritur 14 vjet për një lëndë në Gjykatë. Kështu që fermerët e lëshuan Kosovën ikën prej korrupsionit prej tyre që i mbushen xhepat e paketat me pare të djersëve tona”, ka thënë ai.
Ai tutje ka kërkuar edhe arrestimin e ish-ministrave të kësaj ministrie. Sipas Hysenit të gjithë kanë përfituar nga kjo kategori, duke shtuar se fermerët e bujqit nuk kanë marrë mbështetje nga shteti.
“Përderisa nuk arrestohet Blerand Stavileci, Kapllan Halimi, Nehat Veliu, Elhami Hajdari. Pastaj ish-ministri Memli Krasniqi, edhe ai duhet të arrestohet”, ka shtuar tutje ai.
Dje është zhvilluar një aksion në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë nga i cili janë arrestuar 11 persona për keqpërdorim të subvencioneve dhe ryshfet.
{gallery}