Arbëri

26 vjet pas luftës rreth 300 mbetje mortore në IML të paidentifikuara

Që nga paslufta, në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë rreth 300 mbetje mortore të paidentifikuara që dyshohet se i takojnë personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë. Në IML thonë se nga arsyet se pse ADN-ja e këtyre eshtrave nuk përputhet me ato të familjarëve, është se pas luftës janë bërë shumë identifikime tradicionale pa metoda mjekoligjore.

Rreth 300 mbetje mortore, që s’u është gjetur identiteti, qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Pjesa më e madhe e tyre konstatohet se i takon personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, por mostrat që janë nxjerrë nga kockat nuk përkojnë me ato që janë marrë nga gjaku i familjarëve të të pagjeturve.

“Kritika kryesore e jona për institucionet është mosidentifikimi i një numri të caktuar të trupave, janë disa qindra, ndoshta deri në 300 trupa që për një kohë të gjatë, që shumë vite gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Së paku ata trupa duhet të identifikohen dhe autoritetet duhet të marrin masa”, ka thënë Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Ditor Haliti, zëvendësues i drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka përmendur disa arsye pse këta eshtra kanë mbetur në IML pa identifikim.

Ka thënë se në disa raste ka familjarë që refuzojnë të japin gjak me shpresën se i kanë ende të gjallë të dashurit e tyre, një numër i eshtrave ai ka thënë se nuk i përkasin luftës së fundit e disa janë të degraduara saqë nuk u nxirret profili i ADN-së.

“Numri më i madh pse këto mbetje janë ende të paidentifikuara, lidhet me ato që i quajmë ne identifikime tradicionale, që janë bërë në vitin 1999 dhe 2000. Në atë kohë nuk ka ekzistuar metoda e ADN-së në Kosovë, nuk është aplikuar dhe identifikimi është bërë në bazë të pamjes fizike të viktimave, në bazë të gjësendeve, rrobave, kështu që në disa raste kanë mundur të ndodhin edhe gabime në identifikim”, ka thënë Haliti.

Kësisoj, një numër familjarësh që i kanë varrosur të dashurit e tyre me këtë metodë nuk kanë dhënë gjak, me bindjen se i kanë gjetur trupat.

Në IML dyshojnë se në një numër rastesh, gjaku i këtyre familjarëve po qe se pranojnë ta dhurojnë, mund të përputhet me ADN-në e kockave në IML.

“Tash nëse dikush e ka një trup që e ka marrë vitin ’99-2000 pa ADN, pra në mënyrë të gabuar, në ndërkohë trupi i vërtetë është gjetur më vonë, ka ardhur këtu dhe tash na kemi dërguar mostrën për ta identifikuar mirëpo meqenëse familjarët e këtij individi nuk kanë dhënë gjak, ky trup ka me mbetë i paidentifikuar në IML, ndërsa familjarët në disa raste mund t'i kenë trupat e gabuar”, ka thënë Haliti.

Andin Hoti nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur me Dhunë, ka thënë se janë duke punuar me disa familje për t’i bindur të japin gjak, porse çështja vlerëson se është shume e ndjeshme.

“Unë nuk besoj që është dikush që mundet për momentin të shkojë t'i trazojë mbi trembëdhjetëmijë ose pesëmbëdhjetëmijë familje që kanë të vrarë dhe t’u kërkojë gjakun kështu njëkohësisht, sepse është e rëndë”, ka thënë Hoti.

Në Kosovë sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qeveritar, 1588 persona ende figurojnë në listën e të zhdukurve me dhunë.

Disa nga personat e identifikuar gjatë vitit të kaluar me këtë metodë, që ishin viktima të masakrës së Kralanit, janë varrosur sot në përvjetorin e 26-të të vrasjes së tyre.