Arbëri

26 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit

Pastasellë

Foto: Driton Paçarada

Sot janë bërë 26 vjet nga masakra në Pastasellë të Rahovecit. 

Në këtë masakër nga foscar serbe janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat përreth.

Pastasella, u sulmua ditën e fundit të marsit. Dy tanke ishin vendosur lart në kodër, katër tanke kishin depërtuar brenda në fshat, ndërsa një tjetër kishte zbritur poshtë, aty ku ndodheshin edhe civilët.

Fshatarët gjetën strehë në një fushë aty pranë. Rreth orës 3 të drekës, ata iu dorëzuan paraushtarakëve që i kishin rrethuar, duke tundur në drejtimin e tyre një pëlhurë të bardhë.

Serbët i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat ishin pothuajse të gjithë mbi pesëdhjetë e pesë vjeç, ngaqë të rinjtë ishin larguar nëpër kodra përreth. Diku në orën 4:30 të pasdites, gratë u përzunë nga fshati nën komandën “shkoni në Shqipëri”.

Burrat iu nënshtruan torturës. Para tyre serbët i ndanë një grup prej 7-8 të rinjsh, të cilët i rrahën egërsisht. Ky grup të rinjsh u rreshtua aty pranë dhe u qëllua me armë automatike.

Burrat ishin ndarë në katër grupe dhe ishin vendosur buzë një rrëpire. Ky ishte momenti kur nis ekzekutimi në masë, duke u qëlluar me automatikë. U vranë 106 civilë.

Trembëdhjetë i mbijetuan masakrës.

I mbijetuari i masakrës së Pastasellës në Rahovec, Tahir Krasniqi, ka treguar se si nuk ka pasur mundësi t’i japë ndihmë e t’i shpëtojë të vrarët e tjerë nga forcat paramilitare serbe. 

Ai ka thënë se ka qenë e pamundur pasi këto forca kanë lëvizur gjatë tërë kohës në atë zonë. 

“Unë kam qenë në grupin e tretë. Prej tyre 106 janë vrarë, kemi shpëtuar 13. Prej Perëndisë kanë vdekur të gjithë, unë jam i vetmi (v.j. i mbijetuar). Edhe 15 ditë i bëj 82 vjet. Nuk kemi pasur mundësi për t’i dhënë ndihmë e për t’i shpëtuar. Ka qenë e pamundur sepse lëvizjet e tyre ishin ende andej. Ata endeshin dhe nuk guxonin në asnjë mënyrë”, është shprehur ai. 

“Unë rashë para se të nisnin të shtënat”, i kishte thënë HRË-së njëri nga ta. “Dy të vrarë ranë sipër meje. Unë nuk bëra asnjë lëvizje. Pas nja dy minutash dikush tha, gjuaj përsëri, dhe unë u qëllova.

Qëndrova i fshehur nën trupat për afro njëzet minuta të tjera, derisa u sigurova që ata ishin larguar. Pastaj ika”, kishte rrëfyer ai.

Tre të mbijetuarit do të tregonin se një ditë më pas serbët do të nxirrnin nga zgafellja rreth 25 kufoma dhe do t’i digjnin në një nga shtëpitë e fshatit.