Arbëri

26 vjet nga masakra e Reçakut

Masakra e REcakut

Foto: Alban Bujari

Janë bërë 26 vjet që nga masakra që ndodhi në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Për 45 viktimat e kësaj masakre, të kryer nga forcat serbe, ish-polici Zoran Stanojeviq u dënua me 15 vjet burgim, porse ai ndodhet në arrati që prej 2001-s. Me 15 vjet burgim është dënuar në mungesë edhe Çedomir Aksiqi, si pjesëmarrës në masakër.

Në mëngjesin e 15 janarit të 1999-s ishin vrarë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e të cilëve edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

I pari që më 1999 e pati alarmuar botën se në Reçak po kryhet krim kundër njerëzimit ka qenë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai e pati vizituar Reçakun një ditë pas masakrës dhe pasi ka parë trupat e civilëve të vrarë, ka thënë se “ky është një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Më 1999, pasi ndodhi masakra, prokurores ndërkombëtare për krime lufte, Louise Arbour, nuk iu lejua hyrja në Kosovë nga Maqedonia. Në shkurt të 2009-s, Tribunali i Hagës dënoi Nikola Shainoviqin, Nebojsha Pavkoviqin e Sreten Lukiqin për krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë dhe Vladimir Lazareviqin e Dragolub Ojdanoviqin për dëbimet me dhunë, por jo lidhur me masakrën e Reçakut.

Provat e masakrës së Reçakut ishin prezantuar edhe në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit të Slobodan Milosheviqit, porse ai vdiq para se të përfundonte gjykimi ndaj tij.

Të mërkurën, qytetarë të shumtë po bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Fotot: Driton Paçarada/KOHA

 

Në këtë 26-vjetor do të organizohet ceremoni përkujtimore.

 


Ambasada e SHBA-së në Kosovë përkujton Reçakun

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përkujtuar 26-vjetorin e masakrës së Reçakut, duke thënë se qëndron me popullin e Kosovës “në një pikë kthese tragjike për njerëzimin që nxiti botën të veprojë”.

Në reagim thuhet se SHBA-ja nderon viktimat dhe ripërtërin angazhimin e përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin.

“Sot, SHBA qëndron me popullin e Kosovës në kujtimin e viktimave të masakrës së Reçakut - një pikë kthese tragjike për njerëzimin që nxiti botën të veprojë. Ndërsa nderojmë viktimat, ne ripërtërijmë angazhimin tonë të përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin”, thuhet në mesazhin e publikuar në Facebook.


Rohde: Çfarë ka ndodhur në Reçak është fakt, ata që e mohojnë e pengojnë pajtimin në rajon

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka shkruar me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut. Rohde ka thënë se ajo që ka ndodhur në Reçak është fakt, dhe se krimet e ndodhura janë dokumentuar mirë nga organizatat e huaja si trupat e OKB-së dhe OSBE-së, raporton Ekonomia Online.

Rohde ka thënë se mohimi i krimeve të ndodhura është mosrespektim për kujtimin e viktimave, mban plagët e hapura dhe pengon përparimin drejt pajtimit rajonal.“Mohimi i këtyre krimeve nuk respekton kujtimin e të vdekurve, mban plagë të hapura dhe pengon përparimin drejt pajtimit rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Rohde në platformën "X".


Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe në Reçak

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, raporton Ekonomia Online.

Osmani dhe Kurti kanë vënë kurora lulesh pranë lapidarit kryesor në këtë kompleks përkujtimor, aty ku janë të vendosura të gjithë emrat dhe fotografitë e 45 civilëve të vrarë nga forcat serbe, më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak.

Presidentja Vjosa Osmani pas vizitës në Reçak ka thënë se në Reçak para 26 vjetësh u bënë krimet më makabre në këtë pjesë të Evropës.

“Sot ishim në Reçak, në fshatin e vogël me histori të madhe, aty ku 26-vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja patën ndeshjen më makabre në këtë pjesë të Evropës. Kujtesa jonë është mburojë kundër harresës dhe garanci që krime të tilla nuk do të përsëriten kurrë më. Të rinj, të reja e fëmijë që takuam sot, janë brezi i ri i Reçakut, pasardhësit e viktimave, që dëshmojnë pathyeshmërinë e qëndresën e popullit tonë, përkundër sakrificës e dhimbjes së madhe. Lavdi të martirëve e dëshmorëve të Reçakut”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë atëbotë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga pamjet.

“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.” 

Lajmi i masakrës senzibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të Natos ndaj Jugosllavisë.

Osmani dhe Kurti do të marrin pjesë dhe në akademinë përkujtimore që do të mbahet në Komunën e Shtimes për të nderuar viktimat e këtij gjenocidi.
 


 

Walker nderon me homazhe viktimat e masakrës së Reçakut

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, që pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit, sot 26 vjet pas asaj dite ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, raporton Ekonomia Online.Ambasadori Wiliam Walker në homazhe është shoqëruar nga anëtarët e Listës për Familjen.Walker, i cili vjen për homazhe vjen në pothuajse çdo përvjetor ka thënë se dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani sipas tij ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe “supozoj se ka edhe nga e gjithë bota”.

“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që janë këtu nga i gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Pra, ju falënderoj që po e pasqyroni këtë, ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur”, ka thënë Walker.

Eman Rrahmani nga Lista për Familjen tha se ishte ambasadori Wiliam Walker, ai që shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë.

“Jemi sot këtu me ambasadori Wiliam Walker figurë e cila i shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë, një ambasador i cili ka bërë shumë për çështjen e Kosovës. Jemi në përkujtim të masakrës dhe gjenocidit që ka kryer Serbia këtu në Reçak në familjet shqiptare. Neve na mbetet që të angazhohemi që të jemi çdo herë pranë atyre që kanë ndihmuar dhe kanë vepruar për mbrojtjen e familjes, mbrojtjen e vendit dhe tokave shqiptare”, tha Rrahmani./EO

 


Begaj: Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut ka thënë se denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj

Begaj ka shprehur mirënjohje ambasadorit amerikan, William G. Walker.

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur. Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj. Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj! Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”!”, ka shkruar ai në Facebook.


Krasniqi: Drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se institucionet duhet të zotohen për drejtësi.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, ai u shpreh se masakra në këtë fshat të Shtimes është ndër më të tmerrshmet në vend.

“Përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme të luftës tonë për liri, dhe në këtë ditë përkujtojmë të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndihemi rehat derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës”, tha ai.

E kryetari i Mitrovicës, njëherit kandidat i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza tha Reçaku është dhimbje por edhe “gur i madh në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

“Është një dhimbje po është edhe një gur i madh në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ne do të punojmë fort që historia të ruhet të ndërtohet memoriali i gjenocidit, dhe respekt dhe përulësi deri në përjetësi për të rënët e Reçakut”, u shpreh ai.

Në 26-vjetorin e masakrës në këtë fshat të Shtimes, po vendosin lule pranë varreve të 45 civilë shqiptarë  të vrarë.

Gra, fëmijë e të moshuar u vranë nga forcat policore dhe ushtarake serbe./KSP
 


Abdixhiku: Masakra e Reçakut, pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se masakra e Reçakut është pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare.

Pas homazheve në Kompleksin Memorial, ai tha se sot janë në Reçak për ta kujtuar se sa e shenjtë është sakrifica e popullit për liri.

“26 vjet më parë në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit, forcat policore ushtarake militare e paramilitare serbe kryen aktin e tmerrshëm të masakrës së Reçakut, akt i cili më pas do të cilësohej nga ambasadori William Walker si krim kundër njerëzimit. Në këtë vend u vranë 45 civilë shqiptarë, burra e gra të moshuar e fëmijë vetëm sepse ishin shqiptarë. Ky akt i rëndë, çnjerëzor, akt kundër njerëzimit ishte po ashtu pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare ndaj pasojave që populli i Kosovës i vuante nga regjimi i Millosheviqit dhe forcave serbe", tha ai./KSP

 


Haradinaj: Duam drejtësi për Reçakun e shumë masakra tjera në Kosovë, është absurde kjo gjendje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se e vërteta e Reçakut është e pandryshueshme.

Ai ka bërë homazhe pranë varreve në Kompleksin Memorial në Reçak. Haradinaj tha se është absurde që ende s’ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra tjera në Kosovë”. 

“E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë. Është absurde kjo gjendje qe të mos ketë drejtësi dhe të mos nxirren para gjyqit ata qe i kanë kryer këto krime. I përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut, e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht, liria ka ardhur falë gjakut dhe sakrificës, gjithsesi edhe falë ndihmës së aleatëve tanë, NATO-s prirë nga Amerika”, tha ai.
 


BE: Drejtësia dhe përgjegjësia për krimet e tmerrshme në Reçak mbeten të vonuara

Bashkimi Evropian ka thënë se drejtësia dhe përgjegjësia për krimet e tmerrshme të kryera në Reçak mbeten të vonuara. 

 

Bashkimi Evropian

Sot është 26-vjetori i masakrës që ndodhi në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Në këtë masakër u vranë 45 persona.

“Sot, ne solidarizohemi me familjet dhe njerëzit e Kosovës për të nderuar dhe kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, një krim i tmerrshëm që la plagë të pashëruara 26 vjet më pas. Jetët e tyre u morën brutalisht, dhe drejtësia dhe përgjegjësia mbeten të vonuara.