Arbëri

Hykmete Bajrami jep dorëheqje nga pozita e ministres në detyrë

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami ka konfirmuar për KOHËN se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Ajo ka thënë se dorëheqja ka ardhur për arsye personale.

Bajrami ka shtuar se nuk ka dhënë dorëheqje edhe nga LDK-ja.

“Po është e vërtetë që me kërkesën time jam liruar nga pozita e ministres në detyrë. Kjo ka ardhur për arsye të mijat personale. Por nuk është e vërtetë që kam dhënë dorëheqje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë ajo.

Dorëheqja e Bajramit vjen pas disa dorëheqjeve tjera nga partia. Kjo pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit. LDK-ja në këto zgjedhje doli e treta, ku deri tani ka 13 për qind të votave. Pas këtij rezultati, dorëheqje ka dhënë edhe Kryesia e LDK-së, derisa kjo parti pritet të zgjedh kryesinë e re.

Më pas ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se aktivitetin e saj do ta vazhdojë si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

Ajo ka thënë se gjatë kësaj periudhe si udhëheqëse e Ministrisë së Financave, kjo ministri gjatë kësaj kohe ka pasur dhe ende e ka barrën kryesore institucionale për çështjet që ndërlidhjen me menaxhimin e efekteve ekonomike të pandemisë.

“Konsideroj se përkundër vështirësive buxhetore të krijuara si rezultat i pandemisë, ne kemi arritur ta bëjmë më të mirën e mundshme. Reagimi i duhur dhe me masa konkrete evidentohet edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare. Si rezultat i angazhimeve tona të përbashkëta, sukseset janë evidente: aktualisht, MF ka rolin kyç në zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Si rezultat i masave të marra, ka indikacione serioze që ekonomia do të kthehet në gjendjen e mëparshme në kohë sa më të shkurtër. MF është ndër institucionet prijëse sa i takon zbatimit me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm të të gjitha programeve të punës që derivojnë nga dokumentet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës si: Programi i Punës i Qeverisë, Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, Programi i Reformave Ekonomike, Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjenda e Reformave Evropiane, Strategjia Kombëtare për Zhvillim etj”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka thënë se si rezultat i qeverisjes profesionale dhe transparente, janë bërë partnerë kredibil me institucionet ndërkombëtare duke rritur kështu kapacitetin absorbues dhe implementues të projekteve të donatorëve dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Përkundër situatës së vështirë ekonomike, me recesionin më të thellë ekonomik në vitet e fundit, ne kemi arritur të ruajmë stabilitetin makro-financiar të vendit, të negociojmë dy programe të rëndësishme me FMN-në dhe me Bankën Botërore, programe këto që kanë për qëllim reforma të rëndësishme strukturore dhe mbështetje buxhetore me mbi 250 milion euro për dy vite. Kemi punuar me mjaft efikasitet, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit, me të gjitha odat dhe shoqatat e biznesit. Përmes Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, u është dhënë mundësi grupeve të interesit të përfaqësohen dhe të kontribuojnё me ide e propozime për reforma që synojnë tejkalimin e efekteve ekonomike të pandemisë”, ka thënë ajo.