Deri të mërkurën mbrëma, janë verifikuar 5.778 fletëvotime të ardhura nga diaspora dhe prej tyre janë refuzuar 1.632 apo 28.2 për qind.
4.146 fletëvotime janë aprovuar dhe ato do të numërohen në momentin kur të nisë ky proces.
Lajmi është bërë i ditur të enjten nga organizata Germin, që po vëzhgon këtë proces nga afër.
“GERMIN, përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga diaspora kanë ardhur 43.447 pako, e secila prej tyre mund të përmbajë nga disa fletëvotime, pasi kjo lejohet për familjarët.
Germin-i ka bërë të ditur se një pjesë e zarfeve të refuzuara do të rishqyrtohen edhe njëherë nga KQZ-ja, para se të fillojë procesi i numërimit.
