Nëpërmjet një udhëzimi administrativ, Ministria e Arsimit ka paraparë shkëputje të kontratës për drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave, nëse organizojnë pjesëmarrje të personelit të shkollës ose nxënësve në aktivitete politike, ose nëse angazhohen në forume drejtuese të partive. Njohës të arsimit vlerësojnë se drejtuesit e shkollave nuk do të duhej të identifikoheshin me parti politike teksa kanë kërkuar ndëshkim për të gjithë ata që e shkelin këtë udhëzim
Prishtinë, 6 shkurt – Me shkëputje të kontratës mund t'u kushtojë drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave pjesëmarrja nëpër aktivitete të partive politike ose lejimi i nxënësve dhe personelit të shkollave që të marrin pjesë në tubime të tilla.
Sipas Udhëzimit administrativ që e ka nxjerrë javë më parë Ministria e Arsimit, kontrata mund t’u shkëputet edhe nëse konstatohet se pas emërimit si drejtor ose zëvendësdrejtor, angazhohen në forumet drejtuese të partive.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vlerëson se identifikimi i drejtorëve të shkollave me parti politike është i papranueshëm dhe në kundërshtim me kontratat që i nënshkruajnë.
“Ne kemi një udhëzim administrativ, i cili thërret në ndërprerje të kontratës për të gjithë ata që bëjnë këtë shkelje, mirëpo fatkeqësia qëllon në moszbatimin e saj, pasi që jemi në një situatë ku vetë institucioni i MASH-it dhe drejtoritë komunale janë pjesëtarë të kësaj fushate politike”, ka thënë ai.
Kushdo që bën shkelje të këtij udhëzimi sipas tij, do të duhej të ndëshkohej nga MASH-i dhe drejtoritë komunale.
Megjithatë, në disa komuna janë parë punëtorë të arsimit duke marrë pjesë në aktivitete politike.
Një ditë më parë, kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbledhur një numër të madh të mësimdhënësve, të cilëve u ka shpalosur planet për arsim. Në Degën e PDK-së në Gjilan e kanë mohuar që në tubim të ketë pasur edhe drejtor shkollash.
Deri tash, Komuna e Drenasit është e vetmja që ka nxjerrë vendim që t’ua ndalojë drejtuesve të shkollave të marrin pjesë nëpër aktivitete partiake gjatë fushatës zgjedhore.
“KOHA” e ka pyetur ministrin e Arsimit, Ramë Likaj nëse do të ndërmerren masa ndaj drejtorëve të shkollave që nuk e respektojnë udhëzimin e MASH-it, por ai nuk ka kthyer përgjigje.
I njëjti udhëzim precizon se edhe me rastin e zgjedhjes në pozitën e drejtorit ose zëvendësdrejtorit, i njëjti duhet të nënshkruajë deklaratën nën betim që vërteton se në tre vjetët e fundit nuk ka qenë në asnjë funksion udhëheqës në strukturat e partive politike.
© KOHA Ditore
Folegjenda: Përkundër Udhëzim administrativ që e ndalon një gjë të tillë, në disa komuna janë parë punëtorë të arsimit duke marrë pjesë në aktivitete politike