Arbëri

Daka thotë se u kërcënua nga partitë politike pasi u kuptua se kush s’mund të kandidojë për deputetë

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se akuzat politike në adresën e KQZ-së dhe të sajën, janë ndërhyrje në punën e tyre.

Ajo ka thënë se kërcënimet janë të papranueshme dhe të rrezikshme.

“Nuk do të kisha dashur asnjëherë të mbajë konferencë për media për ta mbrojtur punën time. Dua t’i sigurojë qytetarët që KQZ është duke punuar maksimalisht që të i kryej detyrat. Angazhimi im në fushën e zgjedhjeve për më shumë se një dekadë është dëshmi. Akuzat politike në adresën e KQZ-së dhe timen janë ndërhyrje. Kërcënimet janë të papranueshme dhe të rrezikshme”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin për deputetë atyre që kanë probleme me ligjin dhe jo ajo.

“Unë nuk e kam shkruar nenin e këtij ligji. Çdo person që mendon që po i bëhet e padrejtë mund të ankohet në PZAP ose në Supreme”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se do ta zbatojë Kushtetutën e Kosovës, ligjet e së cilës i kanë votuar vetë deputetët.

“Është bërë e lehtë për burrat e partive politike që ta sulmojnë një grua që nuk e mbështetë asnjë parti politike”, ka thënë ajo.