Pjesëmarrja e ish-shefit të Divizionit për Mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, Driton Lajçi, dikur këshilltar i Kadri Veselit, gjatë intervistimit të Sami Lushtakut në Hagë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar shihet si tentativë për të ndikuar në drejtësi. Ky fakt është radhitur si një nga provat për ndërhyrje, në rastin e aktakuzës kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Por mbrojtja e Veselit ka kërkuar deklaratë nga Lajçi, përmes së cilës ai ka thënë se “Thaçi e Veseli nuk i kanë bërë presion”, në raport me Gjykatën Speciale.
Lajçi edhe pse ishte shef i divizionit, me arsyetimin se kishte shkuar si përkthyes, e kishte shoqëruar Sami Lushtakun në Hagë gjatë intervistimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson, i ka kërkuar deklaratë Lajçit për t’ia bashkëngjitur kërkesës për lirim nga paraburgimi të klientit të tij.
Lajçi në letrën për mbrojtjen e Veselit, të datës 8 janar, ka thënë se “ishte keqkuptuar nga Specialja”, dhe se ai kurrë nuk ka ndërhyrë në drejtësi.
“Jam paraqitur me një deklaratë tek ish-zv. kryeprokurori, z. Kwai Hong Ip, më datën 29 dhjetor 2019, dhe jam përgjigjur si më poshtë: Së pari, unë mbaj qëndrimin e përcaktuar më parë se, në asnjë fazë, nuk kam qenë në çfarëdo presioni nga z. Hashim Thaçi ose z. Kadri Veseli në lidhje me intervistën e z. Lushtakut, për të bërë ndonjë gjë të pahijshme. Si pjesë e përgjegjësive të mia, si shef i Divizionit në Ministrinë e Drejtësisë, unë isha përgjegjës për të siguruar që personat e thirrur nga prokurori i specializuar të përfaqësoheshin si duhet nga avokati dhe për këtë qëllim unë sigurova që Geoffrey Nice, si avokat senior, të merrte pjesë në intervistë. Për më tepër, për shkak të kohës së shkurtër, unë mora pjesë si përkthyes. Unë nuk e kujtoj, nuk do të kisha pasur ndonjë arsye, për të mbajtur presidentin dhe/ose z. Veselin te z. Ip. Sidoqoftë, për të qenë i qartë, në asnjë fazë nuk u vura nën ndonjë presion të padrejtë nga presidenti ose z. Veseli për të bërë ndonjë gjë të pahijshme”, ka thënë Lajçi në letrën e tij.
Këto pretendime të prokurorit të specializuar për ndërhyrje, Lajçi i ka quajtur të pakuptimta.
“Sidoqoftë, sugjerimi që unë isha nën presion nga presidenti dhe z. Veseli nuk ka aspak kuptim. Mund të ndodhë që z. Ip të mos më ketë kuptuar. Por ZPS nuk po pretendon që unë bëra ndonjë gjë (përtej veprimit si përkthyes) që ishte e gabuar në asnjë mënyrë e pahijshme. Edhe nëse do të isha nën presion nga presidenti ose z. Veseli për të organizuar emërimin e Geoffrey Nice (e që nuk kisha) nuk do të kishte asgjë të keqe me aranzhimin e një avokati ndërkombëtar për të përfaqësuar një të akuzuar potencial gjatë intervistës në ZPS. Pretendimet e ZPS-së këtu janë të pakuptimta”, ka thënë më tej Lajçi.
Megjithatë, sipas avokatit Kushtrim Palushi, pak ka gjasa që deklaratat e tilla të merren parasysh nga gjyqtari i procedurës paraprake, që do të vendosë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Veselit e të tjerëve.
“Sjellja e z. Lajçit, që në njërën anë është paraqitur si përkthyes, tregon një fakt se njerëz të afërt të z. Veselit janë inkuadruar që të marrin informata për procesin”, ka thënë ai.
KOHA ka provuar ta kontaktojë Lajçin, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Disa javë para se t’i përfundonte mandati, ai është dorëhequr nga pozita e tij në Ministrinë e Drejtësisë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen nga Specialja për krime lufte, ndërsa mbajtja e tyre në paraburgim, sipas ZPS-së, ndërlidhet me tentativat e Lajçit për të ndikuar te dëshmitarët potencialë.