Arbëri

Avokati i Popullit: KQZ-ja të evitojë çdo veprim që mund të kufizojë të drejtën për të zgjedhur

Avokati i Popullit në lidhje me vendimin e KQZ-së për të verifikuar aplikimet për regjistrim të votuesve nga jashtë Kosovës, ka thënë se është proces i domosdoshëm për garantimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor. Por, ka thënë e drejta për të votuar është e drejtë e garantuar për secilën person që ka arritur moshën mbi 18 vjet, me përjashtim kur kjo kufizohet me vendim gjyqësor.

Për këtë arsye ka thënë se është garantim i shtetit që zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik. Kështu që i ka bërë thirrje KQZ-së të evitojë çfarëdo veprimi që mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës.

“Avokati i Popullit duke marrë parasysh reagimin e publikut lidhur me vendimin Nr. 42-2021, të datës 11 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrimin për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosovës, thekson se procesi i verifikimit të aplikacioneve është i domosdoshëm për garantimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor. Megjithatë, e drejta për të zgjedhë është një e drejtë e garantuar për secilin person që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Përderisa ligji garanton të drejtën për të zgjedhë jashtë vendit, është detyrim i shtetit që procesi zgjedhor të organizohet në mënyrë të mirëfilltë në praktikë ashtu që të mundësohet që zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik, duke mundësuar përfshirje sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote. Prandaj, është e domosdoshme që KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës, të garantuar me kornizën ligjore të vendit”, thuhet në një njoftim nga Avokati i Popullit.

Po ashtu Avokati i Popullit u ka bërë thirrje partive politike që në listat e kandidatëve për deputetë të respektohet barazia gjinore, respektivisht përfaqësimi prej 50% për secilën gjini.

“Avokati i Popullit, në përmbushje të mandatit që ka është duke ndjekur me vëmendje procesin për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai vlerëson rëndësinë që kanë zgjedhjet brenda një sistemi demokratik dhe thekson se procesi zgjedhor për të qenë i pakontestueshëm duhet të jetë i mbështetur fuqishëm mbi parimet dhe garancitë që i kanë vendosur Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Me këtë rast, Avokati i Popullit i bën thirrje partive politike që të zbatojnë dispozitat e Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, përkatësisht, nenit 6 dhe nenit 14 të ligjit, në listat e kandidatëve për deputet që të respektohet barazia gjinore, respektivisht përfaqësimit prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini”, thuhet nga Avokati i Popullit.