Ushtruesi i detyrës i nënkryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Lutfi Mani, në Interaktiv të KTV-së ka treguar kërkesat që kjo sindikatë ka ndaj Ministrisë së Arsimit.
Ai thotë se nuk kërkohet shumë, por se sipas tij, këto kërkesa nuk janë marrë parasysh.
“I kemi disa kërkesa të vjetra, një është që kjo sëmundje që e ka përfshirë globin, i ka përfshirë edhe punëtorët e arsimit. Me statistikat e fundit, numri shkon diku në 3 mijë punëtorë të arsimit. Punëtorët e arsimit punojnë në dy ndërrime”, tha ai.
“Mosaprovimi i ligjit të pagave i anuluar nga kushtetuesja e ka dëmtuar pagën e mësimdhënësit sepse qe dy vjet nuk ka pasë rritje të pagës fare, ndërsa me ligj është thënë që do ketë rritje. Nuk e kemi vetëm pagën, e kemi kontratën kolektive, kontestet gjyqësore, etj”, tha ai.
Mani thotë se prej sa vitesh nuk kanë mundur të fillojnë një vit shkollor pa pasur probleme të tilla, ndërsa ka përsëritur se me 18 është mundësia e grevës së punëtorëve të arsimit.
“Asnjëherë gati prej sa vite nuk kemi mundur të fillojmë një vit mësimor mirë, pa pasë probleme. Me 18 është greva, por kemi paralajmëruar që ka mundësi që nëse themi nuk ka mjete, por duhet të thuhet arsyeja pse nuk ka mjete dhe të shikohet mundësia e dytë. Nuk ka kërkesë eksplicite, por të gjitha janë paralajmërime se një ditë mund të vijë edhe ajo”, ka thënë ai.