Supergazeta festive “Koha Ditore” vjen në 164 faqe, për vetëm 1.5 euro…
Lexoni për ato që e karakterizuan vitin pandemik - prej virusit dhe pasojave të tij, deri te krizat e njëpasnjëshme ekonomike e politike nëpër të cilat kaloi vendi.
Për të bëmat, ca të mira e më shumë të këqija, të të pushtetshmëve kosovarë, mund të lexoni nga shkrimet e reporterëve të gazetës, nga stafi redaktorial dhe kolumnistët e saj të rregullt.
Cilat ishin skandalet e vitit dhe si jetuan kosovarët e rëndomtë?
Në rrëfimet për jetesën kosovarçe, lexoni për Hasan Masuricën, shqiptarin që në vitin 1899 ndërtoi aeroplanin dhe e fluturoi atë mbi fshatin Zarbicë.
Lexoni, po ashtu, rrëfimet për Odën e Llapit dhe për vetminë që u shtua nga pandemia.
Në Botë mund të lexoni përmbledhjen për vitin e mbrapshtë pandemik dhe rrëfimet për gratë e revoltave, imamët e dajakut, kung fu murgeshat e humanizmit dhe “Xhihadin e dashurisë”.
KOHA festive sjell edhe rrëfimin për vitin 2020 të vizatuar nga Jeton Mikullovci – Jemi, në gjashtë faqe karikatura.
Për ditët festive, KOHA sjell edhe faqet e Mes Për Mesit, me kuriozitete dhe fakte të panjohura nga e gjithë bota në vitin pandemik.
Dhe nga Kultura lexoni:
Si u përballën artistët me pandeminë, cilat ishin të arriturat në kulturë, muzikë, letërsi.
Lexoni rrëfimin për vitin e revolucionit të Dua Lipës, si dhe përkujtimin për figurat e kulturës që na braktisën këtë vit.
Dhe, në faqet festive të Sportit lexoni se si u përballën me virusin në sport dhe disa rrëfime të panjohura për Xherdan Shaqirin, klubin e hendbollit “Jusuf Gërvalla”, policin e Njësisë Speciale që ndan drejtësinë në fushat e futbollit.
Për ditët pas pritjes së vitit 2021, në KOHËN festive keni edhe 16 faqe me enigmatikë e fjalëkryqe, si dhe programin festiv të KTV-së.
Dhe, dhuratë lexuesve, kalendari në gjashtë faqe, me fotografi të Kosovës!
Në një gazetë, një vit i tërë dhe shumë më shumë!
GËZUAR 2021!