Arbëri

25 vjet dhimbje e padrejtësi për tmerrin në fshatrat e Rahovecit

Masakrat në Rahovec

Për tri ditë me radhë, një çerekshekull më parë, janë masakruar 243 persona nga forcat serbe, kryesisht burra, gra e fëmijë. Në nderim të të masakruarve, Komuna e Rahovecit ka organizuar të hënën tubim përkujtimor në fshatin Celinë, ndërkohë të martën do të hapet një muze në fshatin Krushë e Madhe

Banorë në Krushë të Madhe, Celinë, Brestovc e Fortesë të Komunës së Rahavecit ende i kanë të freskëta kujtimet e masakrave që ndodhën për tri ditë rresht në këto vende.

Fëmijë, gra e pleq të pambrojtur u masakruan nga regjimi i Milosheviqit.
Sahide Dina-Selimaj nga Celina ka rrëfyer se forcat serbe 25 vjet më parë ia vranë e masakruan babanë, dy vëllezërit e familjarët e tjerë.

“Më e rëndë nuk ka se qysh, i kanë lënë fëmijët 3 muajsh e katër vjet, nuset e reja, më e vështirë nuk ka ku shkon. E kujtojmë sikur sot e sikur atë ditë që janë vra. Për motrën qenka e rëndë, si familje nuset i kanë rritur fëmijët, por më zi nuk ka ku shkon”, ka thënë Dina-Selimaj.

Edhe Zyrafete Hasani nga Celina me mall i kujton anëtarët e familjes.

“Ditë e vështirë si për të gjithë, si për nënën, babën, vëllezër e motra. Ka ndodhur masakra sikur në krejt Kosovën siç ka ndodhur. Djalin, kunatin me grua, me dy djem, këta nuk i kanë lëshuar trojet. Pas luftës asgjë hiç nuk është bërë, merzi e madhe për të gjithë për nënat e Kosovës e për të gjithë, kanë bërë dëme të mëdha”, ka deklaruar Hasani.

Më 25 mars të vitit 1999, forcat serbe vranë 75 persona në Celinë, 68 në Fortesë dhe 54 në Brestoc e 64 prej tyre ende janë të zhdukur.

Banorët nga Krusha e Madhe kanë rrëfyer se si policia serbe i ndau nga të afërmit e tyre.

“Dy grupe i kanë ndalur dhe një grup e kanë dërguar në xhami. Aty ka qenë edhe vëllai im, një nip i mbytur, ne jemi ardhur përroit teposhtë dhe nuk na kanë ngucë neve, ata i kanë ndalë atje, dy grupe i kanë gjuajtur”, ka thënë Sami Sejfullahu, i mbijetuar i masakrës në Krushë të Madhe.

Milazim Duraku, po ashtu i mbijetuar i masakrës në Krushë të Madhe, pa tmerrin edhe pasi i mbijetoi sulmit të serbëve.

“Unë kam qëndruar 4 net e 5 ditë në tavan me 7 nipa e djem të vëllaznive, më i vogli ka qenë 14 apo 15 vjet. Ish vështirë përjetimi pa hëngër e pa pi. I madhi po jetojke, sepse unë i kisha 35 vjet, dy nipat e mi i kanë pasur nga 30 vjet, por ata të vegjlit dikur u lodhen, a pastaj m’i shikonin sytë vetëm mua se çka po them a me dal me u ushqye. Atëherë vendosa natën e pestë të dilja nga tavani”, ka thënë ai.

Në nderim të të masakruarve Komuna e Rahovecit ka organizuar të hënën tubim përkujtimor në fshatin Celinë, ndërkohë të martën do të hapet një muze në fshatin Krushë e Madhe.