Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka deklaruar se në tri muajt e fundit janë regjistruar 25 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.
Ajo ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se numri më i madh i rasteve të regjistruar është shkurti me 13 raste, e sipas Mulliqit, këto raste kanë ndodhur gjatë fushatës zgjedhore.
“Kemi parë numër të madh të sulmeve që rritet nga viti në viti. Deri në mars i kemi 25 raste. Ajo që është më shqetësuese se numri i rasteve është natyra e sulmeve. 25 raste në tre muajt e fundit që janë identifikuar dhe regjistruar nga AGK-ja. Nuk besojmë se kjo është gjendja reale...”, ka thënë ajo, duke shtuar se beson që numri i rasteve të sulmeve ndaj punonjësve medialë është më i madh.
Sipas saj, profesioni i gazetarit është rrezikuar viteve të fundit, derisa ka shtuar se sulmet po kryhen në masë të madhe në terren. Mulliqi ka shtuar se sulmet më të shumta janë ndaj gazetareve, pasi tha se “po shihen si cak më i lehtë”.
Sipas saj, sulmet janë në rritje edhe për faktin e diskursit politik.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar dy sulme ndaj gazetareve.