Arbëri

25 shtëpizat në sheshin “Skenderbeu” disa herë kanë mbetur pa rrymë

Sivjet, festat e fundvitit në Prishtinë po përcillen me muzikë e ushqim edhe në sheshin Skënderbeu.

Derisa viteve të kaluara kjo ka ndodhur vetëm në sheshin “Zahir Pajaziti”, sivjet shtëpiza druri në kuadër të “Verë n’dimën” janë vendosur edhe në këtë pjesë të sheshit.

Por, javën e kaluar, disa herë 25 shtëpizave në këtë pjesë u është ndërprerë energjia elektrike, raporton emisioni 038 në KTV.

Meqenëse një numër i madh i bizneseve në këtë zonë, si produkt kryesor ka verën e vluar, çokollatën e ngrohtë dhe çajin, thonë se konsumatorëve, në mungesë të rrymës, detyroheshin t’u shërbenin vetëm pije të ftohta.

Sipas pronarëve të shtëpizave, ndërprerja e energjisë kishte kohëzgjatje të ndryshme, duke i detyruar madje që t’i mbyllin më herët bizneset.

Ata thonë se kjo i ka dëmtuar.

Në mungesë të energjisë elektrike, u anulua edhe performanca e 11 dhjetorit e grupit muzikor hungarez “Kerekes Band” që ishte aranzhuar në kuadër të organizimit “PRite n’Shesh”. Ata së bashku me publikun që kishin ardhur për t’u argëtuar, kishin pritur rreth dy orë, por rryma nuk kishte ardhur.

Si pasojë e kësaj, qytetarët vazhduan festën në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Disa prej shfrytëzuesve të shtëpizave thonë se e gjithë kjo ndërprerje e furnizimit me energji elektrike, vjen nga moszbatimi i rregullave të kontratës me Komunën e Prishtinës.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, nëpërmjet postës elektronike ka deklaruar se shkaktar i shkyçjes së energjisë elektrike ka qenë prishja e një një kablloje furnizuese.

“Ka qenë një kabllo furnizuese në prishje. Ne i kemi dërguar ekipet për ta rregulluar atë, edhe pse nuk ka qenë përgjegjësi e jona”, ka thënë Buzhala.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për problemin. Adrian Berisha, koordinator i aktiviteteve festive, ndonëse ndodhej në shesh, nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me këtë.