Ambasadori Jan Braathu, është emëruar shef i misionit të OSBE-së në Serbi, i cili deri vonë këtë rol e kishte në Kosovë.
Ky vendim, hyn në fuqi më 1 janar 2021.
Emërimin e ka bërë kryesuesja e radhës, që është Shqipëria. Emërimi i Braathu është bërë i ditur përmes një letre që ambasadori shqiptar pranë OSBE-së, Igli Hasani, ia ka dërguar vendeve anëtare të kësaj organizate.
Ndërkohe ende nuk është bërë e ditur se kush do të emërohet shef i ri i misionit të OSBE-së në Kosovë.
Sipas raporteve të deritanishme, në përzgjedhjen e ngushtë ishin katër kandidatë, prej të cilëve burimet pranë kryesuesit të radhës së OSBE-së, kryeministrit shqiptar Edi Rama, kanë thënë se gjasat më të mëdha i ka Michael Davenport, ish ambasador britanik në Serbi. Kandidat tjetër për postin është edhe ish ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, ish shefja e misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Soumalainen, si dhe Catherine Fearon, ish-zyrtare e lartë në EULEX, e cila në Kosovë ka mbetur e njohur për presionin që i ka ushtruar medias në rastin e raportimit të skandalit të korrupsionit brenda EULEX-it, më 2014.
Braathu nga Norvegjia, ishte shef i misionit të OSBE-së në Kosovë prej 1 tetorit të vitit 2016.
Para marrjes së këtij posti, ka shërbyer si Ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë (2006-2011), dhe pastaj në Kosovë e Shqipëri (2011-2016). Diplomat norvegjez që nga viti 1985, ambasadori Braathu ka përvojë dhe njohuri të gjerë rreth Ballkanit Perëndimor.