Arbëri

Mediat s'lejohen të marrin pjesë në Komisionin për hidrocentrale, arsyetimi - pandemia

Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës do të mbahet pa pjesëmarrjen e mediave, raporton Koha.

Kështu njoftoi kryetarja e Komisionit, Eliza Hoxha e cila citoi vendimin e Kuvendit të Kosovës, të marrë më 11 nëntor.

Sipas saj për shkak të hapësirës se vogël në salla të Kuvendit, mediat nuk lejohet të marrin pjesë. Në këtë komision do të intervistohet sot drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave, Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Mirëpo një rregull i tillë nuk ishte edhe javën e kaluar në po të njëjtin komision. Në mbledhjen e mbajtur më 18 nëntor ku kishin raportuar ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, mediat janë lejuar ta përcjellin komisionin.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 12 nëntor i ka lëshuar leje për operim me dy hidrocentrale kompanisë “Kelkos”. Kjo ka ngjallur reagime të shumta edhe në mesin e shoqërisë civile të cilët kanë thënë se licensimi është bërë jashtëligjshëm dhe pa i plotësuar kushtet.