Mbi 80 minatorë janë ngujuar në horizontin e 10-të të minierës Trepça në Stantërg.
Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN, Hysen Vrajolli, ushtrues detyre i drejtorit të Bordit të Trepçës.
Siç ka thënë ai, ata kanë filluar grevën për shkak se nuk i kanë marrë rrogat.
Vrajolli ka thënë se përkundër paralajmërimit të Qeverisë se janë ndarë 1 milion euro për Trepçën, ato nuk janë alokuar në xhirollogarinë e ndërmarrjes.
“Ndërrimi i dytë i punëtorëve të minierës në Stantërg kanë filluar grevën, për shkak që nuk i kanë marrë pagat e tyre. Qeveria përkundër që ka njoftuar se janë ndarë 1 milionë euro nuk i ka alokuar ato në llogari të Trepçës dhe nuk janë paguar punëtorët” ka thënë u.d. kryeshefit të Trepçës”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Valdete Idrizi.
Ajo përmes një postimi në Facebook i ka ftuar institucionet të veprojnë shpejtë dhe të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për ta.
“Shumë e dhimbshme t‘i shohësh minatorët të detyruar të protestojnë e të fillojnë grevën për pagat e tyre, të drejtën e tyre, që i fitojnë me mund e djersë, në kuptim të plotë të fjalës! Mos e harroni fuqinë e tyre! Për përmirësim të kushteve të punës, të masave anti covid për ta as që bëhet fjalë, ani pse e kanë obligim”, ka shkruar ajo.