Arbëri

Mbyllet Kosova për fundjavë si masë anti-COVID

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Qeveria e Kosovës ka vendosur "të mbyllë" vendin për vikend.

Me vendimin e marrë sot si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, sonte nga ora 20.00 deri të hënën në orën 05.00, do të ndalohet veprimtaria e shumë bizneseve, si qendrat tregtare e rekreative, supermarketet, subjektet që ofrojnë shërbimet e gastronomisë dhe të tjera.

Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente nga pandemia e COVID -19, ka propozuar vendimin për ndërmarrjen e masave të mbrojtjes nga pandemia COVID-19 si në vijim:

Do të lejohet veprimtaria e furrave, marketeve të vogla, barnatoreve dhe pompave të derivateve.

“Obligohet Policia e Kosovës të bëjë kontroll rigoroz në zbatim të masave, vendimeve dhe Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Sot janë raportuar 12 të vdekur në 24 orët e fundit dhe 728 raste pozitive, që është numri më i madh deri më tash.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në kompetencat e deleguara me Ligjin për luftimin e COVID-19 si dhe Ministri i Shëndetësisë kanë ndërmarrur masa të përgjithshme dhe masat e veçanta anti covid-19.

Masat e përgjithshme janë si në vijim:

1. Ndalohet veprimtaria e te gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermerketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomise (restoranet, kafiterite dhe të ngashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës prej orës 20:00 dt. 06/11/2020 (e Premte ) deri më dt. 09/11/2020 9 (e Hene) në orën 05:00, përveç:

1.1 furrave të bukës, barnatoreve, marketeve të vogla, pompave të derivateve.

1.2 institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale;

1.3 për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 të (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë - shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);

1.4 operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zingjirit të furnizimit.

2. Pezullohen paragrafet 7,8,11,12,13,14,20 e vendimit të qeverisë 01/39 të datës 01.11.2020 deri në kohën e përcaktuar sipas dispozitivit 1 të këtij vendimi.

3. Obligohet Policia e Kosovës të bëjë kontroll rigoroz në zbatim të masave, vendimeve dhe ligjit Nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës;

4. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës;

5. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Ministri i Shëndetësisë.

Ndërsa Vendimet për masat e veçanta në shtatë Komuna: Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimen janë si në vijim:

Ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020, në Komunën e Prishtinënë , Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit , Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes, përveç:

Personelit shëndetësor dhe personelit të sigurisë;

qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë);

operatorëve ekonomik dhe transpoti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zingjirit të furnizimit;

kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike;

Obligohet Policia e Kosovës në çdo hyrje/dalje të bëjë kontroll rigoroz për parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19;

Për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit nr. 07/l-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Çdo komunë tjetër që hynë në zonë në të kuqe të infeksionit për kokë banori (sipas hartës), do të ketë masë të njejtë !