Arbëri

Profili i Vjosa Osmanit

Ka qenë zë i fuqishëm opozitar ndaj presidentit tashmë të dorëhequr, Hashim Thaçi.

E kundërshtoi zgjedhjen e tij në krye të Kosovës dhe nuk mori pjesë në seancën e zgjedhjes së Presidentit.

Që nga 26 shkurti i vitit 2016 kishin nisur edhe përplasjet publike mes kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmanit.

Mustafa e kishte kritikuar atë se po shkon kundër linjës së partisë derisa Osmani e quajti seancën ku u zgjodh Thaçi president, Seancë turpi.

E tani, pas dorëheqjes së Thaçit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani siç e parasheh Kushtetuta, do ta ushtrojë detyrën e presidentes, deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Osmani edhe punën e parë në politikë e kishte bërë pikërisht në zyrën e presidentit në vitin 2009.

Ajo ishte zgjedhur shefe e stafit të Presidentit, Fatmir Sejdiu.

Karrierën e vazhdoi si deputete, duke hyrë në historinë e Kosovës si gruaja më e votuar në zgjedhje.

Por derisa rritej politikisht, rriteshin edhe dallimet në qëndrime që ajo kishte me udhëheqësit në partinë e saj.

3 vjet më parë, asaj nuk i ishte dhënë fjala në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku u diskutua për zgjedhjet lokale dhe demarkacionin.

Në zgjedhjet e vitit 2019 ajo udhëhoqi listën e LDK-së në zgjedhjet e parlamentare derisa synonte pozitën e kryeministres.

Me renditjen në vend të dytë, partia e saj, LDK-ja nisi negociatat për një qeverisje me LVV-në, bisedime këto që morën kohë të gjatë, e ku Osmani dallonte për nga qëndrimet me partinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Pas marrëveshjes, ajo u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës.

Pozitën e kryeparlamentares e mbajti edhe pasi LDK-ja u nda nga VV-ja dhe krijoi Qeverinë me AAK-në e Nismën.

Por, pati akuza ndaj partisë së saj.

“Votat i merr dikush tjetër e vendimet dikush tjetër”, kishte deklaruar ajo.

Për zërin e saj kundërshtues, në qershor u shkarkua nga pozitat e saj udhëheqëse në LDK.

Me propozim të kryetarit Isa Mustafa, Këshilli i Përgjithshëm të LDK-së votoi online për shkarkimin e saj nga pozita e nënkryetares dhe e anëtares së kryesisë.

Në tërë karrierën e saj politike, Osmani ka kundërshtuar mënyrën e dialogut me Serbinë, duke e akuzuar presidentin e dorëhequr edhe për negociata të fshehta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lexo edhe profilet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.