Aktakuza e deponuar më 24 qershor pranë Dhomave të Specializuar të Hagës, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli iu konfirmua pasditen e së mërkurës. Njoftimin për këtë e dha vetë Veseli, i cili sot udhëton për në Hagë. Sipas njoftimit të Speciales, aktakuza përmban dhjetë pika ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për 100 vrasje ku përfshihen viktima shqiptare, serbe, rome dhe kundërshtarë politikë.
Prokurori i Specializuar e kishte gjykuar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.
Pavarësisht mohimeve, Presidenti Thaçi, bashkë me Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn patën ndërmarrë iniciativë për shfuqizimin e Speciales në fund të vitit 2017. Nisma e orëve të mesnatës ishte kundërshtuar nga LDK-ja dhe VV-ja, atëkohë në opozitë. Pas presionit ndërkombëtar veçmas Shteteve të Bashkuara dhe kërcënimit se do të izolohen, tre ish-udhëheqësit e shtetit ishin zmbrapsur. Më vonë, Haradinaj do ta pranonte se Specialen deshën ta shfuqizonin për shkak të frikës se edhe ata do të jenë subjekt i saj.
Specialja është krijuar mbi bazën e raportit të zviceranit Dick Marty, i votuar edhe në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Marty në raportin e tij Thaçin e identifikon si “kumbara” i rrjetit kriminal të njohur si “Grupi i Drenicës”, që sipas senatorit zviceran, përbëhet nga Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj.
Por, cili ka qenë rrugëtimi i Kadri Veselit nga nëntoka në politikë?
Duke lënë prapa paqartësitë për veprimtarinë e tij, Kadri Veseli vendosi t’i hyjë zyrtarisht politikës në nëntor të viti 2012, kur mori librezën prej anëtari të PDK-së në lagjen “Bair” të Mitrovicës. Avancimi i tij në parti dhe politikë ishte i shpejtë. Vetëm një muaj më vonë u bë nënkryetar i PDK-së, derisa në marrëveshjen e koalicionit me LDK-në në vitin 2014 për vete rezervoi postin e kryetarit të kuvendit të Kosovës. Pas largimit të Thaçit drejt presidencës, në vitin 2016 Veseli pa kundërkandidat mori komandën e PDK-së.
Për veprimtarinë e SHIK-ut, qytetarët e Kosovës kanë ditur shumë pak. Emri i këtij Shërbimi, që më shumë se Kosovës, besohet t’i ketë shërbyer Partisë Demokratike të Kosovës, është përfolur shumë vetëm pasi në publik doli Nazim Bllaca. I vetëquajturi agjent i SHIK-ut doli dhe tha se për llogari të këtij shërbimi ka kryer vrasje, plagesa dhe rrëmbime.
Zyrtarisht SHIK-u veprimtarinë e vet e ka shuar më 14 qershor të vitit 2008. Kadri Veseli e ka publikuar vetë këtë informatë, por nuk ka folur kurrë rreth veprimtarisë të organizatës.
Kërkesa ka pasur që ky shërbim t’i nënshtrohet një hetimi parlamentar, por që ky propozim nuk ka gjetur përkrahje.
Më 22 gusht të vitit 2019 gjatë një përplasjeje me deputetët e LDK-së, Veseli foli më ndryshe për SHIK-un.
“E keni marrë zanat SHIK-u, SHIK-u, SHIK-u, kom me ju ngi SHIK këtë mandat, kemi me shku deri në fund, edhe Komisionin Hetues edhe të gjitha, edhe me media në mënyrë transparente, dëgjo, veç atëherë mos bo ciu ciu ciu mu tërhjek. Mos bo, qëndro deri në fund”, kishte deklaruar Veseli.
Lexo edhe profilet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.