Arbëri

Mungesa e zyrtarit për media në Qeveri po u shkakton vështirësi në punë gazetarëve

Katër muaj nga emërimi në krye të Qeverisë, Avdullah Hoti në kabinetin e tij nuk ka edhe një zëdhënës për media.

Deri të mërkurën, qeveria e Kosovës nuk ka pasur as drejtor të Zyrës për Komunikim me Publikun, pasi javë më parë nga kjo detyrë është dorëhequr Xhavit Beqiri.

Mungesa e zëdhënësit, sipas gazetarëve është duke iu shkaktuar vështirësi në kryerjen e punës.

“Shumë shpesh ndodh që tema mjaft të rëndësishme të na dështojnë në mungesë të një personi i cili na jep përgjigje të caktuara për sektorë të ndryshëm. Prandaj është e nevojshme madje e domosdoshme që qeveria e Kosovës të reflektojë sa më shpejt lidhur me këtë çështje në mënyrë që të lehtësohet rruga e komunikimit mes mediave dhe institucionit”, thotë gazetarja Besjana Bajrami.

Ankesa sikurse të Bajramit, sipas kryetares së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, kanë edhe gazetarët e tjerë.

Emërimi i zëdhënësve, sipas Begollit, bëhet me vonesë nga qeveria, për dallim prej stafit tjetër politik.

“Kur është në pyetje emërimi i pozitave të ndryshme politike pozitave ministrore, atyre zv..ministrave të shumtë, qeveritë zakonisht e bëjnë në kohë rekord, ndërkaq gjithnjë vonohen sa i përket emërimit të një zëdhënësi. Ne disa herë kemi bërë thirrje edhe në këtë qeveri, por edhe të tjerat që të mos vonohen sa i përket emërimit të një zëdhënësi, marrë parasysh se kjo jo vetëm që lehtëson punën e gazetarëve, por kontribuon që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në mënyrë sa më të drejtë e shpejt”, deklaron Begolli.

Përgjigjet nga Zyra e Kryeministrit kanë munguar edhe në pyetjet lidhur me emërimin e zëdhënësit.

Pasditen e së mërkurës, kryeministri Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se në krye të Zyrës së Komunikimit me Publikun, ka emëruar Antigona Baxhakun.