I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të martën, do të vizitojë Kosovën.
Këtë e ka bërë të ditur këshilltari politik në Qeverinë Hoti, Xhavit Beqiri.
"Lajçak do të vijë nesër në Kosovë për vizitë dhe do të takohet me kryeministrin Hoti, mirëpo nuk e dijmë orën e saktë por për këtë do të njoftoheni nga zyra e Kryeministrit”, ka thënë ai për KOHËN.
Pak kohë më vonë, Qeveria ka zbuluar agjendën e kryeministrit Hoti dhe takimi me Lajçakun është paraparë të martën në orën 16:30.
Ndërkohë, sot është mbajtur edhe takimi i Këshillit të Bashkimit Evropian ku u diskutua në nivel ekspertësh rreth dialogut Kosovë - Serbi.
Lajçak ka thënë se diskutimi i sotshëm ka konfirmuar se dialogu qartë është i lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, një ditë më herët, Lajçak ka reaguar lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, çështje kjo e cila u bë shkak për ngecje në dialogun me Serbinë.
“Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai të dielën në një intervistë për një media të huaj.