Arbëri

Haradinaj-Stublla: Vizita e ministrit grek në Kosovë e rëndësisë së veçantë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla po pret sot në takim homologun e saj grek, ministrin e jashtëm Nikos Dendias.

Për pak minuta Dendias pritet që të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari".

Para arritjes së ministrit grek, Haradinaj tha se ky takim është i rëndësisë së veçantë, në funksion të ndërtimit të aspiratës për njohje.

"Vizita e sotme e ministrit grek në Kosovë është e një rëndësie e veçantë. Siç e dini Greqia përveç që është shtet anëtar i Bashkimit Evropian, është edhe shtet i rajonit. Andaj këtu përkundër faktit që ka qenë një shtet mosnjohjes në mesin e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, Greqia ka vënë një standard të lartë të bashkëpunimit dhe konstruktivitetit ndaj Kosovës, republikës sonë dhe qytetarëve tanë. Dhe siç e dini është po ashtu një sinjal i mirë që marrëdhëniet tona po thellohen, po intensifikohen raportet. Por, edhe po ndërtohet një themel shumë i fuqishëm në funksion të ndërtimit të aspiratës tonë që shkon drejt njohjes. Andaj besoj që kjo është ngjarje mjaft e rëndësishme për Kosovën, dhe besoj që sot gjatë ditës do të kemi kohë dhe mundësi që në detaje me ministrin të diskutojmë edhe modalitetet; fushat dhe interesit të përbashkët në të cilat mund të punonim për të thelluar dhe për të fuqizuar marrëdhënien tona bilaterale", tha ajo.

Kurse Dendias ka thënë ka theksuar se është kënaqësi të jetë sot në Kosovë, ku mes tjerash theksoi se është tregues për bashkëpunim rajonal mes fqinjëve.

Ai pas arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për vizitë zyrtare, Dendias tha para mediave se çështja e njohjes së Kosovës është çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve.