Numri i personave me COVID-19 ka shënuar rritje muajve të fundit. E ndonëse të izoluar e më me pak kontakte, të infektuar ka edhe në burgjet e Kosovës.
Siç i kanë thënë KOHËS nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, që nga fillimi i pandemisë e deri tash, 36 persona janë infektuar e COVID-19, ndërkaq janë 23 raste aktive.
Gjatë kësaj kohe, betejën me COVID-19 nuk e kanë fituar dy të burgosur. Bëhet fjalë për një person të moshës 85-vjeçare dhe një 78-vjeçar. Për të njëjtit SHKK-ja ka thënë se kanë pasur sëmundje të rënda dhe pas trajtimit në Spitalin e Pejës, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
Institucioni bën të ditur se të gjithë të burgosurit me COVID-19 po trajtohen brenda karantinave të institucioneve korrektuese.
“Aktualisht, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga personeli shëndetësorë i institucioneve korrektuese”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Shërbimi Korrektues thotë se nga fillimi i pandemisë, kanë krijuar hapësira vetizoluese të nevojshme për të gjithë të burgosurit e infektuar. Ndërkaq bëhet e ditur se deri më tani nuk kanë pasur nevojë për staf shtesë shëndetësor.
“Deri në këto momente, Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka pasur nevojë për staf shtesë shëndetësor”, ka thënë SHKK-ja.
Nga 13 marsi kur u shënuan rastet e para me COVID-19 në Kosovë janë infektuar 48.905 persona dhe kanë vdekur 1256. Ndërkaq deri tash janë shëruar 36.568 persona. Aktualisht numri i rasteve aktive është 11.081 persona.