Arbëri

23 aplikime për 100 kuponët që sigurojnë subvencion për çerdhe

Ministria e Arsimit ka nisur ta pilotojë programin për ndarjen e kuponëve për familjet në asistencë sociale që duan t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe. Dy herë është hapur thirrja për 100 kuponët e parë, por kanë aplikuar jo më shumë se 23 qytetarë

Ministria e Arsimit e ka hapur hy herë shpalljen për t’i subvencionuar familjet në asistencë sociale që kanë fëmijë nga 3 deri në 5 vjeç, për t’u përfshirë në edukimin e hershëm, por nuk është shprehur interesim i lartë për të përfituar.

Për 100 kuponë që u parapa të shpërndahen, Ministria pranoi vetëm 23 aplikime.

Programi i Kuponëve që u hap në fillim të janarit është pilot-projekt për subvencionimin e familjeve në skema sociale në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Lipjanit për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private.

Shuma që mbulon shteti është 60 deri në 100 euro. E, kostoja mujore në çerdhet private varion nga 90 deri në 250 euro.

Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se numri i vogël i aplikuesve mund të interpretohet me subvencionim të pamjaftueshëm dhe me mungesë informimi.

“Këtu së bashku, edhe në mungesë të informimit për këtë gjë, padyshim se kanë edhe atë ndikimin në numrin e aplikantëve. Përndryshe, shpresoj shumë që e njëjta të korrigjohet dhe mësimet e mira nga ky proces, nga ky pilotim, të sigurojnë një skemë të përkrahjes që e rrit me të vërtetë përfshirjen e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe ofron përkrahje për të gjithë pa përjashtim”, ka thënë Qehaja.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, në dhjetor të vitit të kaluar, 2 mijë e 265 familje nga këto tri komuna janë në skema sociale.

Në Ministrinë e Arsimit thanë se janë aktivizuar në informimin e familjeve në asistencë sociale për rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.

“Përveç ofrimit të mbështetjes financiare, MASHTI është duke punuar aktivisht për të informuar dhe edukuar familjet mbi rëndësinë e edukimit të hershëm të fëmijëve, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes në këtë fazë kritike të zhvillimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në raportet e UNICEF-it për Kosovën, është shprehur vazhdimisht shqetësimi për pjesëmarrjen e ulët të fëmijëve në edukimin e hershëm.

Sipas raporteve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që organizon testimin ndërkombëtar PISA, fëmijët të cilët kanë pasur sukses në këtë test, kanë qenë të përfshirë në edukimin e hershëm.