2.294 serbë kanë aplikuar për t'i konvertuar patentë shoferët ilegalë të lëshuar nga strukturat paralele serbe në RKS, në dy muaj prej kur ka nisur së zbatuari si vendim, ka njoftuar të martën Policia e Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar në fillim të majit se ka vendosur që t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, pasi nuk do t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht të këtij viti.
Nga 9 maji deri më 9 korrik, sipas Policisë, 2.294 serbë në të gjitha komunat e Kosovës kanë aplikuar për t'i konvertuar patentë shoferët ilegalë në RKS.
Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.