Publicisti Veton Surroi e ka cilësuar kaotik dhe të ngutshëm zhvillimin më të ri në dialogun Kosovë-Serbi, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës ftuan dy vendet më 27 qershor për të biseduar për dialogun.
Në Deskun e KOHËS, Surroi ka thënë se është hera e parë që nuk ka marrëveshje mes SHBA-së dhe Evropës për mënyrën se si të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi.
“Është hera e parë që ndodh kështu. Në gati 30 vjet është hera e parë që të mos ketë marrëveshje mes SHBA-së dhe BE-së për mënyrën se si të ecet tutje. Është hera e parë që i ikin njëra-tjetrës këto dy procese. Është hera e parë që të mos ketë parime udhëheqëse të dakorduara mes SHBA-së dhe shteteve të fuqishme evropiane. Është hera e parë që në formë sekrete po zhvillohet ky proces. Është hera e parë që kosovarët shkojnë pa ndonjë listë parimesh të veta. Kemi zotin Thaçi që është në dijeni, ka qenë në kontakt me zotin Grenell dhe palën tjetër të përfaqësuar nga Qeveria që sapo ka marrë pushtetin dhe nuk ka qenë në dijeni për këto zhvillime. Është proces pak kaotik dhe i ngutshëm”, ka thënë ai.
Sipas Surroit, në çdo raund negociatash në dhjetë vjetët e fundit Kosova ka hyrë dhe ka marrë diçka si obligim.
“Brukseli ka pasur dy pasoja të mëdha negative për Kosovën. Pasoja e parë ishte dekonstruktimi i shtetit, futja e mbindërtimit të Asociacionit si kategori kushtetuese, meqenëse Parlamenti e ka adoptuar si marrëveshje obligative, dhe delegjitimimi ndërkombëtar i Kosovës sepse kur ka hy Kosova në procesin e Brukselit në formën që ka hyrë duke pranuar kushtet e ofruara, ka pranuar që çështja e statusit s’është përmbyllur. Për një pjesë të botës është fuqizuar interpretimi serb se Kosova është rrëfim i pambyllur e se çështja e statusit do të mbyllet në Bruksel”, ka vazhduar Surroi.
Tutje ai ka thënë se pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka pasur nevojë që krerët e Kosovës, që ishin në dialog, të deklarojnë se kjo ishte e barasvlefshme me mohimin e Serbisë të kësaj shpalljeje.
“Nuk ka pasur nevojë që Thaçi dhe të tjerët që kanë marrë pjesë në këtë proces të deklarojnë se është e barazvlefshme shpallja e pavarësisë me mohimin e Serbisë të kësaj shpallje. Në momentin kur kanë pranuar të hyjnë në procesin negociator në Bruksel, në të cilin Kosova trajtohet në dy dimensionet, pra trajtohet edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe interpretimi serb se nuk është përmbyllur procesi. Edhe fusnota që pastaj i është bashkangjitur”, ka thënë Surroi.
Ai ka thënë se kjo ishte gabim dhe ky gabim i ka kushtuar vendit.
“Janë integruar mbindërtime në strukturën juridike të vendit. Si pasojë e këtyre dështimeve të Brukselit kemi iniciativë amerikane, e cila jo domosdoshmërisht do të prodhojë një rezultat pozitiv, pra nuk dimë se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar ai.