Ministria e Drejtësisë pritet të aktualizojë Institutin për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky institut, që drejtor kishte Ismet Salihun, u mbyll në vitin 2018 kur në krye të ekzekutivit ishte Ramush Haradinaj. Por, megjithëse ka nisur puna, rrëzimi i Qeverisë mund të jetë shkas i mosjetësimit të këtij instituti.
Ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim dhe ka krijuar ekipin punues i cili do ta përgatisë analizën për themelimin e institutit që do të hulumtojë krimet në Kosovë.
KOHA nga MD-ja ka parë edhe emrat e këtij Ekipi Punues, në krye të së cilit qëndron Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Ministrja Haxhiu në një prononcim për KOHËN, tha se mandati i këtij ekipi, i cili pritet të fillojë punën nga java e ardhshme - është deri në muajin shtator.
“Në programin tonë qeverisës parashihet themelimi i Institutit për Krime Lufte. Unë kam formuar ekipin punues në këtë drejtim. I njëjti ka për mandat analizën dhe propozimin se si në Kosovë mund të themelohet instituti. Mandati i tij është deri në shtator, kjo për shkak të rrethanave me pandeminë, kam konsideruar që mund të paraqesin vështirësi në këtë drejtim. I njëjti në javën e ardhshme pritet të fillojë punën”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu shprehet se lidhur me këtë çështje, më shumë kanë punuar organizatat dhe shoqatat sesa institucionet e Kosovës dhe kjo sipas saj, është e pafalshme.
“Kosova ka pasur Institutin për Krime Lufte, mirëpo i njëjti ndonëse kishte në përbërje profesorë të nderuar, asnjëherë nuk është mbështetur me kapacitete njerëzore e financiare nga Qeveria dhe pas disa viteve i njëjti u shua. 20 vjet pas luftës, është për keqardhje se si Kosova ende nuk e ka Institutin për Krime Lufte dhe ende mungon aspekti institucional i dokumentimit të krimeve të luftës, kjo është goditje e madhe ndaj historisë tonë, por edhe padrejtësi ndaj gjithë atyre që kanë bërë gjithçka për liri e pavarësi dhe s'janë në mesin tonë”, tha Haxhiu.
KOHA ka kontaktuar edhe profesorin e së Drejtës Penale, Ismet Salihun, që ishte drejtor i këtij instituti.
Salihu shprehu bindjen e tij se Kosova ka punuar fare pak rreth hulumtimeve të krimeve të luftës, derisa ka thënë se do të ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij në këtë institut, por vetëm si këshilltar.
“Nëse më thërrasin, eventualisht mund të angazhohem si këshilltar, nuk do të merrja përgjegjësinë si drejtor sepse jam duke punuar rreth një enciklopedie rreth kësaj lëmie, juridike e penale. Si këshilltar, do të ndihmoja shumë”, u shpreh Salihu.
Në anën tjetër, ministrja Haxhiu i tha KOHËS se “do të konsultohet me profesorët që kanë qenë pjesë e Institutit dhe do të bëjnë më të mirën në këtë drejtim”.
Edhe në vendimin për emërimin e ekipit, theksohet se sipas nevojave të tyre, Kryesuesi i Ekipit Punues mund të ftojë edhe anëtarë tjerë në grup.
Haxhiu, tutje në një prononcim për KOHËN, tha se ende nuk është vendosur për lokacionin e institutit, derisa theksoi se ekipi do ta adresojë edhe këtë çështje.
Lokacioni i këtij instituti, fillimisht kishte qenë në një ndërtesë dykatëshe në “Arbëri”, për të cilin instituti paguante nga 900 euro në muaj qira. Më vonë, ai u shpërngul në pallatin e ish-Rilindjes.
Ish-drejtori i institutit, Ismet Salihu, i ka treguar KOHËS për vështirësitë që kanë hasur derisa ai ishte në krye të tij.
“Kam punuar shtatë vjet në këtë institut në kushte modeste dhe kemi pasur një punë maksimalisht të mundshme duke bërë dhjetë botime në gjuhën shqipe dhe angleze për të zhdukurit, trashëgiminë kulturore, të vrarët, shkatërrimin e arkivave, masakrën e Reçakut, Çyshkut etj. Ne kemi punuar në një ndërtesë dykatëshe në ‘Dragodan’, që paguanim 900 euro qira. Me pretekst na thanë se Qeveria, atë kohë Ramush Haradinaj në krye, ka marrë vendim që të mos paguajë më qira në objekte private, dhe na sollën pas ndërtesës - ish-Rilindjes, në dy zyre, gati 1 vit e gjysmë kemi punuar aty. Na u zinte fryma, punonim nga 2 orë në ditë sepse arkivat ishin të pluhurosura e t’u zinte fryma”, u shpreh Salihu.
Haxhiu në anën tjetër tha se Ministria që ajo drejton s’do ta ndalë punën rreth riaktualizimit të institutit, ndonëse shprehu drojë se rrëzimi i Qeverisë në krye me Kurtin do ta vështirësojë jetësimin.
“Unë jam shumë e bindur që do të arrijmë të kemi dokumentimin institucional të krimeve të luftës. Megjithatë paralelisht me këtë duhet hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës. Ekipi punues ka mandat deri në shtator. Rrethanat me rrëzimin e Qeverisë e vështirësojnë jetësimin e Institutit sepse pas rrëzimit vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por ne nuk do të ndalim punën tonë”, u shpreh Haxhiu.
KOHA ka parë edhe emrat e Ekipit Punues;
Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit - kryesuese
Nazlie Bala, përfaqësuese nga kabineti i MD-së - anëtare
Gentrita Bajrami, përfaqësuese nga MD - anëtare
Arsim Gërxhaliu, përfaqësues nga Instituti i Mjekësisë Ligjore - anëtar
Kushtrim Gara, përfaqësues nga Komisioni për të pagjeturit - anëtar,
Iliriana Islami, përfaqësues nga Fakulteti Juridik - anëtare
Institucioni i Avokatit të Popullit
Behgjet Shala, përfaqësues nga KMDLNJ - anëtar
Fondi për të Drejtën Humanitare
Feride Rushiti, përfaqësuese nga QKRMT – anëtare
Sanije Ismajli, përfaqësuese nga Agjencia e Statistikave të Kosovës
Hysen Azemi, përfaqësues nga Arkivat e Kosovës - anëtar
Meriman Braha, përfaqësues nga Shoqata e të burgosurve politikë,
Nasim Haradinaj, përfaqësues nga Shoqata e Veteranëve të Luftës,
Nora Visoka Weller, eksperte
Salihu, në anën tjetër, ka bërë thirrje te Ministria e Drejtësisë, mos të rekrutojë njerëz politikë.
“Kësaj duhet t’i ruhemi, të kemi kujdes të mos rekrutohen njerëz nga partitë. Së dyti, duhet me qenë një komision tërësisht objektiv, për të selektuar e pranuar njerëz. Në këtë institut duhet të punojnë njerëz të rinj, entuziast, të përkushtuar e profesionist. Ky institut, duhet së paku t’i ketë 10 deri 12 vetë. Duhet të ketë doktorë shkencash, magjistra e hulumtues terreni”, u shpreh Salihu për KOHËN.
Sipas tij, instituti duhet t’i krijojë kushtet optimale dhe hapësirën e nevojshme për ta aktualizuar institutin.
Salihu thotë se kryerësit e krimeve në Kosovë mund të gjykohen lehtë nëse në Kosovë punohet dhe vlerëson se patjetër shtetit i duhet ky institut aktiv.
“Aty duhet ekspertë kulminantë, të paktën për fillimin e punës, që kësaj pune t’ia vënë themelet e shëndosha e të vazhdojë puna. Së paku 3 deri në 5 vjet duhet të punohet vazhdimisht që të hulumtohen krimet. Duhet të shkojnë në çdo fshat, çdo shtëpi që dihet që ka pas krim të bëhet regjistrimi, evidentimi, ashtu siç bëhet regjistrimi i popullatës, dhe të evidentohen, e pasi të grumbullohen, dikush duhet të dijë se si të sistemohen ato, të botohen libra e edhe të realizohen në mënyrë digjitale”, deklaroi Salihu.
Salihu ka vlerësuar se në Kosovë nuk është bërë mjaftueshëm në evidentimin dhe dokumentimin e vrasjeve e gjithashtu mbledhjeve të fakteve dhe dëshmive nga dëshmitarët okularë dhe të mbijetuarit e masakrave të ndryshme.
Me qëllim të dokumentimit të krimeve të periudhës së luftës, më 2011, Qeveria e Kosovës kishte themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), i cili ishte funksional deri në vitin 2018.
Në Kosovë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998 dhe 1999.