22 vjet më parë, këto shtëpi gumëzhinin nga familja e madhe Jashari. Familja e dinte mirë se ishte në shënjestër të forcave serbe në vazhdimësi.
Krerët e saj ishin mobilizuar e armatosur për t’u bërë ballë sulmeve të mundshme.
Më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat i ishin drejtuar Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar.
Historia e tyre për lirinë e Kosovës, kujtohet edhe sot me nderime e respekt.
Në 22-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe mbi këtë familje, Komuna e Skënderajt në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kreu i Skënderajt, Bekimi Jashari, djali i Hamëz Jasharit që atë mëngjes ishte në krye të rezistencës, tha se sulmi ishte paralajmërim që lufta do të fillojë shpejt.
Pjesë e homazheve ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se ngjarjet sikur kjo, duhet të kujtohen në vazhdimësi.