Më datë 31 mars, janë bërë 22 vjet nga dita kur doli numri i parë i së përditshmes “Koha Ditore”.
Botimi i parë u bë në vitin 1997, me një qasje ndryshe ndaj rrethanave dhe lëvizjeve demokratike, era e të cilave ndihej edhe në Kosovë.
Atëkohë, Kosova ishte ende nën okupimin serb, e tutje deri sot, “Koha Ditore” u bë zë i fuqishëm edhe për lirinë e vendit.
Sot, 22 vjet prej ditës së themelimit, ajo është bërë një pikë referimi për gazetarinë kosovare në veçanti dhe për atë shqiptare në përgjithësi.
Në të e për të, ka shkruar një numër i madh gazetarësh kosovarë me emër, e një pjesë e tyre ende vazhdojnë të shkruajnë.
Besueshmërinë e madhe që e ka te qytetarët, gazeta e ka arritur edhe falë stafit të kompletuar dhe profesional.
Botimi i gazetës nisi në kohën kur regjimi serb i Millosheveqit kishte pushtuar gjithçka, e jo vetëm mediumet informative të vendit.
Prej vitit 1997 e deri më 24 mars 1999, “Koha Ditore” u bë zë i fuqishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i aspiratave për liri.
Në ditën e fillimit të bombardimit të NATO–s kundër Serbisë, forcat serbe sulmuan selinë e Kohës Ditore, duke vrarë rojën e saj dhe duke demoluar e djegur lokalet.
Por, askush nuk mundi t’ia ndalë atë që pati për qëllim kryesor. Kështu, edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, vazhdoi të botohej në Tetovë.
Atëkohë, gazeta shpërndahej falas për lexuesit, nga ku bë dritare informimi për luftën në Kosovë.
Koha Ditore u bëri ballë sprovave të kohës, duke ua sjellë lexuesve lajmet më të besueshme në vend.
E, nga ajo lindën edhe media tjera, pjesë të Grupit Koha, Kohavisioni, TV Arta, portali Koha.net si dhe sektori i botimeve.
Një urim për përvjetorin e Kohës, e ka bërë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldlt.
Ai ka shkruar se gazetaria e pavarur është esenciale për shoqëritë demokratike.