Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismalili, ka thënë se mungesa e testimeve të shumta në kufij dhe mungesa e vullnetit për izolim, ka bërë që koronavirusi të shpërndahet në të gjitha komunat.
Ai thotë se shpërndarja e pacientëve me koronavirus është bërë për shkak se nuk janë mbrojtur kufijtë e vendit.
Ismaili ka thënë se mungesa e vetizolimit të detyrueshëm dhe mungesa e karantinave, ka sjellë në përdorimin e dy trajtimeve, siç janë distanca sociale dhe fizike, e të cilat sipas tij, kanë dalë të jenë të suksesshme.
Ai ka shtuar se numri i të infektuarve me koronavirus është më i madh se 31.
“Unë mendoj që numri i të infektuarve me koronavirus është më i madh se 31, mirëpo mungesa e testimeve tona nuk është duke e treguar popullatën e vërtetë të infektuar. Duhet të bëhen testimet e shpeshta. Kosova nuk po arrin t’i bëjë këto testime. Deri tani kemi afër 570 testime, që janë mjaft pak, kurse shtetet tjera kanë bërë më shumë se 5 mijë të tilla. Neglizhenca dhe dështimi për të bërë testime, mund të jetë e kushtueshme për qytetarët dhe krejt shtetin”, ka thënë ai, raporton KOHA.
Ai tutje ka shtuar se 7 mijë testime që po priten të vijnë në Kosovë, nuk janë të mjaftueshme.
Duke folur për zhvillimet politike në vend, ai ka thënë se vëmendja duhet të kthehet tek pandemia.
“Unë jam i brengosur që mungesa e testimeve mund të krijojë një hapësirë më të madhe që virusi të shpërndahet. Është vullneti politik ai që e bënë dallimin edhe në testime. Ne sot jemi në një situatë ku shohim partitë politike në pushtet që bëjnë veprime politike ndaj njëra-tjetrës. Dominimi i diskutimit tonë është për politikën, qytetarët e kanë brengë pandeminë dhe politikanët jo. Kushdo që e shfrytëzon këtë situatë është duke i bërë sherr Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, testimi duhet të jetë sa më masiv, në mënyrë që të dilet nga kjo situatë.