Në rrethana ende të panjohura ka vdekur të hënën një 21-vjeçare, banore e Shtëpisë së Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara Mendore në Shtime. Policia ka bërë të ditur për nisjen e hetimeve, ndërsa që, sipas drejtuesve të kësaj qendre, shkaktar i vdekjes së saj është ngufatja gjatë ngrënies së ushqimit. Në Qendrën e destinuar për fëmijë të gjithë të strehuarit janë të moshës mbi 18 vjeç
Një 21-vjeçare, banore e Shtëpisë së Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara Mendore në Shtime, ka vdekur të hënën mbrëma nga shkaqe ende të pasqaruara. Tashmë e ndjera, ka qenë njëra nga dhjetë personat, të gjithë të moshës mbi 18-vjeçare, të strehuar në këtë qendër të dedikuar për fëmijë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë institucion, Jeton Ademaj, nëpërmjet telefonit ka thënë se nuk mund të komentojë për rastin, meqë, sipas tij, tashmë kanë nisur hetimet.
“Derisa të kryhen komplet procedurat nuk kemi çfarë të flasim. Po ashtu është prej ngufatjes, por të gjitha këto informacione janë në Policinë e Kosovës dhe në Spitalin e Ferizajt”, tha Ademaj.
Policia e Kosovës në regjionin e Ferizajt nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar i kanë nisur hetimet.
“Me datën 15.05.2023, rreth orës 19:30 , Policia e Stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se një person D.S ( F/K) e moshës 21- vjeçare, paciente nga Shtëpia e fëmijëve në Shtime, për ndihmë mjekësore fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime dhe më pas me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku nga mjekët është konfirmuar vdekja e saj. Dyshohet se është ngufatur gjatë ngrënies së ushqimit”, është njoftuar nga Policia.
Shtëpia e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara Mendore në Shtime, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, prej vitesh vazhdon t’i mbajë si rezident pacientët e moshës madhore.
“Dhjetë persona janë të gjithë, por të gjithë janë mbi moshën 18 vjeç... Këta kanë mbetur këtu, sepse nuk kanë pasur vend se ku të dërgohen, pastaj me kalimin e kohës e kanë kaluar moshën dhe kanë mbetur këtu”, tha Ademaj.
Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë kthyer përgjigje se pse të rriturit strehohen në këtë qendër të dedikuar për fëmijë, e as për veprimet e ndërmarra pas rastit të vdekjes së 21-vjeçares.