Arbëri

Gjykata dënon pjesëtarët e “Syrit të Popullit”

Aktgjykim dënues ka shqiptuar gjykata në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

I pandehuri Avni Llumnica është gjetur fajtor në pretendimet e prokurorisë i cili me dashje, që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale, raporton Koha Ditore.

Llumnica është gjetur fajtor edhe për veprën penale të sulmit seksual, për kohën kur është dërguar në qendrën e paraburgimit. Llumnica është dënuar me dënim unik 12 vjet burgim. Llumnica pas marrjes së vendimit ka thirrur ‘tradhti’, më pas ka fyer trupin gjykues ,e ç’rast policia e ka nxjerrë jashtë. 

Sadri Ramabaja është dënuar me 5 vjet burgim, Halim Halimi 3 vjet, Behxhet Luzha është dënuar me 2 vjet, Bajrush Konjusha me 3 vjet, Rexhep Toplana 2 vjet. Gjykata ka gjetur fajtor edhe Murat Jasharin, por për shkak të gjendjes shëndetësore të tij ai do të dërgohet për mbajtje në trajtim të detyrueshëm psiqik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh, ndërsa është refuzuar aktakuza ndaj Sabit Berisha dhe Lirije Luzha.

Avokatja Fehmie Bytyqi që në këtë rast e përfaqëson të akuzuarin Murat Jashari, e ka cilësuar si masë shumë të ashpër detyrimin që Jashari për dhjetë vjet të qëndron në Institutin e Psikiatrisë dhe Forenizikës. Sipas saj Jashari do të duhej të ia shqiptonte masën për trajtim në Institucione shëndetësore në Zvicër pasi në Zvicër edhe e ka familjen.

Avokati Ramiz Krasniqi që e përfaqëson në këtë rast të akuzuarin, Sadri Ramabaja ka thënë se gjykata nuk ka pasur asnjë provë për klientin e tij. Ai tha se gjykata vetëm ka lexuar aktakuzën gjatë shpalljes së vendimit, por s'i ka shqyrtuar provat. Krasniqi gjithashtu ka paralajmëruar ankimim të këtij aktgjykimi në shkallën e dytë.

Sipas kryetares se trupit gjykues, Naime Krasniqj Jashanica të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, më 15 maj 2017, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës se Kosovës.

Në këtë rast , për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale, akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetërorë të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit, raporton KOHA Ditore.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, publicistë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara.

I akuzuari Murat Jashari sipas aktakuzës kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e ‘tradhtarëve të vendit’.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar njoftimin zyrtar lidhur me rastin:

Është shpallur aktgjykimi kundër tetë të akuzuarve

Prishtinë, 22 janar 2020 - Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin PKR.nr.46/18 kundër të akuzuarve A.LL., S.R., R.S., B.K. H.H., R.T., B.L dhe M.J.

Gjykata në bazë të neneve 3,7,8,17,21,31,33,35,41,42,45,46,73,74,75,76 të KPK-së dhe nenit 115,363 dhe 365 të KPPK-së të akuzuarve iu shqipton dënimet si në vijim:

I akuzuari A.LL është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 12 (dymbëdhjetë) vite për veprat penale Hakmarrje në ndihmë, nga neni 396 par.3 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, Sulm Seksual, nga neni 232 par.2 pika 2.1 lidhur me par. 1 të KPRK-së dhe Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 136 par.2 të KPRK-së.

I akuzuari S.R është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vite për veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 136 par.2 të KPRK-së.

I akuzuari R.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite, për veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 136 par.2 të KPRK-së, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

I akuzuari B.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 vite (tri)vite për veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 136 par.2 të KPRK-së dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për veprën penale Mos lajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre, nga neni 386 par.1 pika 1.4 të KPRK-së.

I akuzuari H.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tre) vite veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 136 par.2 të KPRK-së.

I akuzuari R.T është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite veprën penale Mos lajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre, nga neni 386 par.1 pika 1.4 të KPRK-së, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

I akuzuari B.L është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite veprën penale Mos lajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre, nga neni 386 par.1 pika 1.4 të KPRK-së.

Të akuzuarit M.J i shqiptohet masa e trajtimit psikiatrik me ndalim në Institucionin Shëndetësorë në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vite veprën penale Hakmarrje, nga neni 396 par. 3 të KPRK-së, Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 136 par.2 të KPRK-së dhe Mbajtja në Pronësi, Kontroll ose Posedim të PA-autorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK-së.

Të dëmtuarit A.V dhe N.Z për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohen në kontestin e rregullt juridiko-civil.

Palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.